Gjendet piktura e vjedhur nga nazisti

Gjendet piktura e vjedhur nga nazisti

Kultura September 04, 2025 - 21:39

“Portreti i një Zonje”, një pikturë e shekullit të 18 nga italiani Xhusepe Gislandi, e cila u grabit nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore, është gjetur në Argjentinë.

Vepra ndodhej në qytetin bregdetar argjentinas Mar del Plata, pasi për 80 vjet nuk ishte parë nga syri i publikut.

Megjithatë, fotografia e parë me ngjyra e saj u shfaq muajin e kaluar në një listë pasurish të patundshme online të postuar pa dashje nga njëra prej vajzave të Friedrich Kadgien, oficerit nazist që vodhi pikturën nga koleksionisti holandez-hebre Zhak Gudstiker.

Detaji mori vëmendjen e gazëtarëve holandezë që zbuluan të shkuarën e Kadgien, i cili u arratis në Argjentinë pas rënies së Gjermanisë naziste dhe vdiq aty në vitin 1978.

Por rishfaqja e “Portreti i një Zonje” ishte e shkurtër. Brenda pak orësh nga botimi i historisë në gazetën holandeze Algemeen Dagblad javën e kaluar, lista e pasurive të paluajtshme u hoq. Policia bastisi shtëpinë rurale në Mar del Plata të Patricia Kadgien, vajzës së oficerit nazist, por piktura nuk ishte aty.

Zyra e prokurorit publik urdhëroi ndalimin e Kadgien dhe burrit të saj në pritje të një seance dëgjimore për akuzat për fshehje dhe pengim të drejtësisë. Policia kreu një sërë bastisjesh të tjera, duke sekuestruar piktura dhe gravura të ndryshme që mund të jenë vjedhur gjithashtu.

Më pas gjykata federale në Mar del Plata mbajti një konferencë për shtyp për të njoftuar se çifti kishte dorëzuar pikturën e famshme, që sipas ekspertëve arrin vlerën e 50 mijë dollarëve.

Vepra tashmë rikthehet te trashëgimtarja e vetme Gudstiker, nusja e tij Marei von Saher, e cila tha se familja e saj synon të rikthejë çdo vepër arti të grabitur. /abcnews