Teatri i Kukullave, së shpejti me hapësirën e tij muzeale

Teatri i Kukullave, së shpejti me hapësirën e tij muzeale

Kultura September 03, 2025 - 13:19

Kryeqytetit së shpejti do t’i shtohet një hapësirë tjetër muzeale. Në Teatrin e Kukullave ka nisur puna për pasurimin me ekspozitorë, kënd suveniresh dhe instalacione artistike, ku do të prezantohen arkiva të shfaqjeve të kukullave ndër vite, duke e bërë vizitën e vogëlushëve edhe më interesante për t’u njohur me magjinë e skenës.

Në një postim sot në rrjetet sociale ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se një pjesë e veçantë e godinës do t’i kushtohet historisë së saj si Parlamenti i Parë Shqiptar, aty ku u hodhën hapat e parë të jetës parlamentare në vend.

Dokumentet, fotografitë dhe objektet e ekspozuara do ta bëjnë këtë hapësirë një pikë referimi për vizitorë vendas dhe turistë të huaj, të cilët kanë shfaqur interes gjithnjë e më të madh për këtë aspekt të historisë.

Ndërkohë, repertori i shfaqjeve të Teatrit të Kukullave vijon të zgjerohet me premiera të reja dhe një interes gjithnjë në rritje nga publiku. Vetëm gjatë këtij viti, pas përurimit të godinës së restauruar, janë dhënë mbi 120 shfaqje me mbi 17500 spektatorë, të vegjël dhe të rritur. /atsh