
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë hap librin e ngushëllimeve për regjisorin Dhimitër Anagnosti
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë ka hapur librin e ngushëllimeve në nderim të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se është humbur një personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, vepra e të cilit i ka tejkaluar kufijtë e Shqipërisë.
Ai shtoi se figura dhe krijimtaria e Dhimitër Anagnostit do të mbeten përgjithmonë pjesë e memories dhe kulturës kombëtare shqiptare.
“Të gjithë së bashku kemi humbur një personalitet të shquar të kinematografisë shqiptare, e theksoj shqiptare sepse Dhimitër Anagnosti nuk ka qenë regjisor vetëm për shqiptarët e Shqipërisë por pa dyshim për gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. Së pari për shqiptarët këtu në Kosovë, Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut, Luginë e Preshevës apo kudo tjetër ku ndodhen shqiptarët. Filmi i tij ka folur fortë, është pa dyshim një himn që ne e kemi konsideruar shumë të madh. Vetë vendimi i qeverisë shqiptare për të mbajtur ditë zie për këtë personalitet të shquar tregon peshën e madhe dhe forcën që ky regjisor ka pasur në realitetin tonë kombëtar. Pastaj, vepra e tij është një vepër e cila ka folur në vite. Një regjisor që ka ndërtuar dhe zbërthyer më së miri karakterin e shqiptarëve. Ka marrë edhe ngjarje thelbësore unike të cilat i shkruante vetë sepse edhe skenarët i bënte kryesisht vetë dhe më pas i gjironte dhe i bënte veprën e mirëfilltë, filmin që na servirte neve. Kemi humbur një regjisor metodist të mirëfilltë i cili e qëndriste filmin, sepse që nga momenti i parë deri tek i fundit”, tha Malaj.
