
Maximilian Lambertz, një nga figurat më të mëdha në fushën e albanologjisë
Lambertzi u lind në Vjenë dhe studioi gjuhësi dhe filologji gjatë viteve 1900–1905. Ai mori doktoraturë në vitin 1906 me temë mbi “emrat e skllevërve grekë”. Një bursë shtetërore e çoi atë në Itali dhe Greqi, ku dëgjoi për herë të parë gjuhën shqipe, duke e drejtuar karrierën e tij drejt albanologjisë.
Në vitin 1913, ai publikoi së bashku me Georg Pekmezi-n manualin e parë mësimor për gjuhën shqipe, “Lehr und Lesebuch des Albanischen” (Manual dhe Libër leximor i shqipes). Ndërkohë, gjatë viteve 1913-1914, ai udhëtoi në Jug të Italisë për të studiuar dialektet arbëreshe, veçanërisht dialektin e Villa Badessa në Abruzzo dhe Molise, transmeton KultPlus.
Nga maji deri në korrik 1916, si pjesë e Komisionit Ballkanik të Akademisë Austriake të Shkencave, Lambertz vizitoi Shqipërinë Veriore dhe Qendrore. Ai mbledhi material folklorik dhe gjuhësor në rajone si Shkodër, Lezhë, Krujë, Tiranë, Durrës, Mirditë dhe vende të tjera, duke krijuar një dokumentacion të pasur etnologjik dhe linguistik.
Në fund të vitit 1916, gjatë administrimit Austro-Hungarez të Shqipërisë, Lambertz mori detyrën për të menaxhuar sistemin arsimor shqiptar dhe bëhet anëtari i parë i huaj i Komisionit Letërsiar Shqiptar, i cili punonte për krijimin e një standardi gjuhësor për arsimin.
Pas luftës, Lambertz u kthye në Austri, ku dha mësim deri në vitin 1934 dhe shtroi bazat për studime të mëtejshme mbi kulturën dhe folklorin shqiptar. Më vonë u angazhua në politikë e akademi në Gjermani (në Leipzig), ku u emërua profesor dhe drejtor i Institutit të Gjuhëve Indo-Evropiane deri në pensionimin e tij në vitin 1957.
Ai u rikthye në Shqipëri në vitin 1954 dhe në 1957, duke ruajtur lidhjet akademike me vendin.
Lambertz ndërroi jetë më 26 gusht 1963 në Markkleeberg, pranë Leipzigut. Ai u varros në varrezat Döbling të Vjenës. /kultplus