
Mbrëmje solemne në nderim të Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetorit të Katedrales
Në nderim të jetës dhe veprës së shenjtores shqiptare me famë botërore, Shën Nënë Tereza, dhe në shënim të 20-vjetorit të bekimit të gur themelit të Katedrales që mban emrin e saj, Ipeshkvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Qendrën për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore (QTSHK) organizon një mbrëmje solemne kulturore.
Ngjarja do të mbahet sonte, duke filluar nga ora 19:30, në ambientet e katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
Mbrëmja përkon me 115-vjetorin e lindjes së Shën Nënë Terezës dhe dy dekada nga vendosja e themeleve të një prej objekteve më të rëndësishme të kultit katolik në Kosovë.
Programi i ngjarjes përfshin fjalë përshëndetëse nga të ftuar të nderuar, një ligjëratë historike nga Don Shan Zefi për 20-vjetorin e gur themelit të Katedrales, si dhe një dokumentar me pamje arkivore që sjell kujtime nga ky përvjetor i veçantë.
Pjesë qendrore e mbrëmjes do të jetë koncerti solemn, ku do të interpretojnë artistë të njohur si: Besiana Mehmedi (mezzosoprano), Mariana Leka (soprano), Gerald Murra (tenor), Bledar Domi (bas), Rudina Ciko (piano), kori “Të Mirët e Kombit”, si dhe aktorët Safete Rogova dhe Xhevat Limani. Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti i njohur Zhani Ciko, ndërsa drejtori artistik i mbrëmjes është Shkodran Tolaj.
Pas përfundimit të programit artistik, të pranishmit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në një koktej, i cili do të mbahet në qendrën “Bogdanipolis”.
Kjo mbrëmje përkujtuese synon të nderojë figurën e Nënë Terezës si simbol i humanizmit dhe përkushtimit shpirtëror, si dhe të theksojë rëndësinë e trashëgimisë shpirtërore e kulturore të komunitetit katolik në vend.