“Kalorësi i Babunjës”, numër rekord vizitorësh në Vjenë

“Kalorësi i Babunjës”, numër rekord vizitorësh në Vjenë

Kultura August 25, 2025 - 21:34

Në përfundim të ekspozimit në Muzeun e Historisë Natyrore në Vjenë, objekti muzeor arkeologjik “Kalorësi i Babunjës” ka arritur të shihet nga 219.397 vizitorë gjatë tre muajve.

Lajmin për numrin e vizitorëve e ka deklaruar drejtoresha e këtij muzeu, prof. Katrin Vohland.

Kalorësi i Babunjës, vepër arti me vlera unike, është pjesë e fondeve arkeologjike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ekspozimi u mundësua nga marrëveshja e nënëshkruar mes Institutit të Arkeologjisë, pjesë e ASHSH, dhe Muzeut të Historisë Natyrore të Vjenës. Krahas ekspozimit të Kalorësit të Babunjës, u organizua edhe një konferencë shkencore e përbashkët me palën austriake me fokus këtë zbulim unik 2600-vjeçar të arkeologjisë, ku morën pjesë mbi 120 studiues nga mbarë bota. Shqipëria u përfaqësua nga akad. Adem Bunguri, prof. Neritan Ceka, prof. Bashkim Lahi dhe prof. asoc. Eduard Shehi.

Objekti qëndroi i ekspozuar në “Sallën e Artë” të Muzeut të Historisë Natyrore në Vjenë nga data 13 maj deri më 31 korrik 2025.

Pas suksesit të ekspozitës, “Kalorësi i Babunjës” është rikthyer në Tiranë më 4 gusht 2025 dhe do të vendoset për ekspozim të përhershëm në Muzeun Arkeologjik, pjesë e Institutit të Arkeologjisë pranë ASHSH./atsh