
Hapet seminari i 43-të i gjuhës shqipe
Është hapur edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Në këtë edicion pritet të marrin pjesë 200 studiues nga vendi dhe bota. Seminari do të mbahet për 29 ditë në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.Seminari i 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ka hapur punimet në Prishtinë. Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili vuri në theks rëndësinë e gjuhës shqipe si themel i identitetit kombëtar.
“Gjuha është organizëm i gjallë që frymon në çdo cep dhe në çdo kohë. Pasuria jonë shoqërore dhe shtetërore entuziazmi ynë me gjuhën shqipe duhet vetëm të rritet. Shpreh gatishmërinë time për mbështetjen për të arritur këtë qëllim. Është forcuar tradita e olimpiadës së gjuhës shqipe , duke nxitur drejtshkrimin dhe leximin. Kemi mbështetur edhe seminarin e diasporës. Këto nisma janë bazë e qëndrueshme, duke e vënë atë në qendër të edukimit dhe identitetit kombëtar. Është ky seminar që i dedikohet gjuhës, por lashtësia jonë lidhet me tiparin tonë themelor, por është edhe vetë faktori qenësor i lashtësisë sonë. Ne do të vazhdojmë me mbështetje”, tha Kurti.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, tha se Seminari i Gjuhës ka jetëgjatësinë më të madhe si ngjarje kulturore në mbarë hapësirën shqiptare.
“Ka këtu akoma dëshmitarë siç jam unë dhe të tjerë si unë të atij fillimi të lartë të vitit 1974 kur Qendra e Studimeve për të huaj e mori emrin e seminarit, emër që e ka edhe sot…ne jemi të vetëdijshëm që edhe në punë të organizimit të seminarit, të mësimdhënies, dhe ligjërimit do të jetë e nevojshme të bëhen ndryshime strukturore siç do të jetë e nevojshme që dijet albanologjike përfshirë studimet gjuhësore dhe letrare të braktisin pozitivizmin dhe të zhvillojnë mendimin kritik, por në anën tjetër kam besim se edhe kësaj radhe si çdo herë tjetër deri tani do të merrni me vete përshtypjet më të mira për mikpritjen dhe miqësinë“, theksoi ai.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vlerësoi se ky seminar është një rrëfim i qëndrueshmërisë së dijes përballë sfidave.
“Ky seminar ka qenë dritare, ku studiues të huaj kanë mundur të dëgjojnë për historinë tonë. Ky seminar nuk është thjesht aktivitet akademik, ku shumë studiues lidhen me kulturën tonë. Është një hapësirë ndërkombëtarizimi, ku lindën projekte të përbashkëta dhe u nënshkruan marrëveshje. Gjuha dhe kultura ndër më të vjetrat në Evropë, që ka treguar qëndrueshmëri, është pasuri që meriton të promovohet e të ndërkombëtarizohet”, tha Malaj.
Seminari do t`i mbledhë 200 studiues vendorë e ndërkombëtarë, tha rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu.
Drejtorja e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare , Lindita Sejdiu, vuri në theks se seminari është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë.
Në këtë ceremoni u shfaqën edhe video-incizimet e disa studiuesve dhe albanologëve të huaj nga e gjithë bota../rtk