
Kur hesht politika, flet kultura - si po ndriçon Kosova përmes aktiviteteve kulturore e festivaleve?
Kur hesht politika, flet kultura - si po ndriçon Kosova përmes aktiviteteve kulturore e festivaleve?
Në një Kosovë të bllokuar institucionalisht – me më shumë se gjashtë muaj pa Kuvend funksional dhe me një Qeveri që pret kompromise politike, drita këtë verë po vjen nga një burim tjetër e që është kultura.
Gushti i këtij viti është dëshmi se festivale si Sunny Hill Festival, DokuFest, festivali ndërkombëtar i operës “Ramë Lahaj”, Anibar në Pejë dhe Chopin Piano Fest në Prishtinë po e vënë Kosovën në qendër të hartës kulturore ndërkombëtare. Në mungesë të zgjidhjeve politike, arti, muzika dhe kreativiteti po flasin më qartë se kurrë për vendin tonë.
Kosova në titujt ndërkombëtarë – këtë herë për arsye të mira
Nuk janë më raportimet për tensione politike e krizë ato që e sjellin Kosovën në mediat botërore. Këtë herë, është kultura që na përfaqëson me dinjitet.
BBC, The Guardian e shumë media të tjera të njohura kanë shkruar për Kosovën si një vend të hapur, krijues dhe mikpritës. BBC raportoi se Sunny Hill Festival po ndryshon perceptimin për Kosovën në skenën ndërkombëtare, duke vënë në pah se kjo ngjarje nuk është vetëm koncert, por edhe promovim, zhvillim ekonomik dhe PR për vendin.
Po ashtu, mediat ndërkombëtare raportuan për ceremoninë e shtetësisë që Presidentja Vjosa Osmani i dha Dua Lipës, si një ngjarje që u pa nga miliona njerëz në mbarë botën.

Një ekonomi që ndien ritmin e muzikës
Festivale e aktivitete kulturore si këto nuk sjellin vetëm emocione dhe përjetime artistike, por edhe impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale.
Nga gastronomia te akomodimi, nga transporti lokal te punësimi sezonal – ndikimi ekonomik është i prekshëm. Sipas disa vlerësimeve, vetëm Sunny Hill Festival gjeneron miliona euro në ekonomi gjatë vetëm disa ditëve. DokuFest, ndërkaq, e shndërron Prizrenin në një qendër të turizmit kulturor, ndërsa Anibar sjell mijëra të rinj e artistë në Pejë, duke gjallëruar ekonominë lokale dhe jetën publike.

Chopin Piano Fest e kthen Prishtinën në një skenë elegante të muzikës klasike, duke sjellë artistë të nivelit të lartë dhe duke kultivuar një publik që rrallë ka hapësira për art të tillë. Koncerti i Ramë Lahajt, një prej tenorëve më të njohur ndërkombëtarë, është jo vetëm festë artistike, por edhe simbol i imazhit të ri të Kosovës.
Diplomaci kulturore në vend të bllokadës politike
Në kohën kur shteti nuk po arrin të artikulojë mesazhe të qëndrueshme, festivale si këto po e mbushin boshllëkun institucional me diplomaci të vërtetë kulturore. Ato po e vendosin Kosovën në radarët e artistëve, gazetarëve, vizitorëve dhe influencuesve nga e gjithë bota. Këto ngjarje janë më shumë se festa verore me të cilat Kosova po ndriçon këtë verë. /Telegrafi