
Sot, koncerti më i ëmbël i Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj, dedikuar fëmijëve
Në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj, në hapësirat e Hyperactive në Prishtina Mall nga ora 13:30, do të shpaloset një nga koncertet më të veçanta të këtij viti, dedikuar tërësisht fëmijëve, titulluar “Educating the audience of the future”.
Nën temën frymëzuese “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure!”, ky koncert do të sjellë një përvojë të rrallë muzikore për më të vegjëlit, në bashkëpunim me Korin e Fëmijëve dhe Orkestrën “Amadeus”. Atmosfera e këtij koncerti do të jetë e mbushur me tinguj klasikë, kuriozitet e emocion.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje është të afrojë fëmijët me botën e muzikës klasike dhe operës që në fëmijëri të hershme, duke mbjellë tek ata dashurinë për artin, kulturën dhe skenën.
Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj do të vazhdojë rrugëtimin e tij me mbrëmjet si në vijim:
28 korrik | 20:30 Opera Night (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë)
29 korrik | 19:30 New Generation (Universiteti i Arteve, Prishtinë)
30 korrik | 20:30 Ensemble Evening (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë);
për të përfunduar me mbrëmjen më kulmore të këtij festivali, në sheshin Skënderbeu, me 2 gusht nga ora 20:30, ku do të ngjiten në skenë yje ndërkombëtare të operës si sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi Italian Dario Russo dhe i yni, tenori Rame Lahaj, nën tingujt e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, udhëhequr nga maestro Roberto Rizzi Brignoli.