Muzeu “Shtëpia me gjethe” me projekt të ri dedikuar fëmijëve

Muzeu “Shtëpia me gjethe” me projekt të ri dedikuar fëmijëve

Kultura July 24, 2025 - 13:22

Vizitat e fëmijëve në muzeun kombëtar të përgjimit “Shtëpia me gjethe” janë të shpeshta. Këto vizita edukative shpesh organizohen nga shkollat apo kampet verore.

Në kuadër të edukimit të fëmijëve, ky muze organizoi një workshop dhe punëtori didaktike dedikuar të vegjëlve.

“Shtëpia me gjethe” ka përgatitur gjithashtu edhe “Guidën e Artit të Familjes” që është një udhëtim interaktiv dhe tërheqës i projektuar për fëmijë dhe familje për të eksploruar muzeun, historinë e diktaturës shqiptare dhe për të reflektuar së bashku mbi të drejtat e njeriut.

Projekti ka si personazh qendror Mian, një vajzë nga e tashmja që udhëton prapa në vitin 1983 dhe takon dy bashkëmoshatarë shumë të ndryshëm: Arbërin, të frikësuar por të vetëdijshëm dhe Besnikun, një mbështetës të vendosur të regjimit, të formësuar nga propaganda.

Përmes lojërave, videove të animuara, pyetjeve të drejtuara dhe një shtegu reflektimi në natyrë, vizitorët e vegjël ftohen të zbulojnë historinë, propagandën dhe viktimat e regjimit, për të kuptuar se sa të rëndësishme janë të drejtat themelore, edhe sot. /atsh