Gjakova hap dyert për kulturën shqiptare – nis festivali “Ditët e Shqiptarit”

Kultura July 18, 2025 - 22:31

Në Gjakovë ka nisur zyrtarisht festivali “Ditët e Shqiptarit”, një ngjarje kulturore që këtë verë do ta shndërrojë qytetin në epiqendër të kulturës shqiptare.

Me moton “Kultura shqiptare festohet n’Gjakovë”, festivali sjell performanca artistike, muzikë dhe aktivitete të ndryshme që nderojnë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, përmes një postimi në Facebook, ka ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e këtij festivali që zhvillohet në disa data gjatë korrikut dhe gushtit.

“Artistë të njohur dhe zëra të fuqishëm do të jenë këtu, për t’i dhënë qytetit sharm dhe hijeshi”, ka shkruar Gjini, duke përgëzuar gjithashtu performancën e parë të mbrëmjes nga Endrit Xërxa & Band.

Aktivitetet e festivalit do të vazhdojnë edhe më: 19, 25 dhe 26 korrik 01, 02, 08, 09 dhe 10 gusht.

Festivali organizohet nga Fondacioni për Gjakovën në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës.