
Portreti i rrallë me vaj i Gandhit shitet për më shumë se 200 mijë dollarë
Një portret i rrallë me vaj i udhëheqësit të pavarësisë indiane, Mahatma Gandhi, është shitur në ankand në Londër për 152.800 funte (rreth 204,648 dollarë).
Kjo shumë është shumë më e lartë se sa vlerësimi fillestar i shtëpisë së ankandit Bonhams, që kishte parashikuar një çmim prej 50,000 deri në 70,000 paund. Portreti është pikturuar në vitin 1931 nga artistja britanike Clare Leighton, kur Gandhi vizitoi Londrën.
Sipas Bonhams, besohet se kjo është e vetmja pikturë me vaj për të cilën Gandhi ka pozuar ndonjëherë.
Ai udhëhoqi një lëvizje paqësore rezistence kundër sundimit britanik në Indi, dhe mësimet e tij kanë frymëzuar miliona njerëz. Shumica e indianëve e nderojnë atë si “atë i kombit”.
Portreti u realizua kur Gandhi shkoi në Londër në vitin 1931 për të marrë pjesë në Konferencën e Dytë të Tryezës së Rrumbullakët, e cila u mbajt për të diskutuar reformat kushtetuese për Indinë dhe për të adresuar kërkesat e saj për vetëqeverisje, raportojnë mediat e huaja.
Sipas shtëpisë së ankandeve Bonhams, Clare Leighton “ishte një nga shumë pak artistët që u lejua të hynte në zyrën e tij dhe iu dha mundësia të ulej me të në disa raste për ta skicuar dhe pikturuar portretin e tij”.
Veprat mbetën në koleksionin personal të artistes deri në vdekjen e saj në vitin 1989 në Shtetet e Bashkuara, pas së cilës u trashëguan brenda familjes së saj.
Bonhams nuk e bëri të ditur se kush e bleu pikturën, dhe nuk është e qartë nëse ajo do të ekspozohet publikisht. /kultplus
