Këngëtarja e re Klea Dina me projekt muzikor në Konferencën Ndërkombëtare për Virginia Woolf në Londër 

Këngëtarja e re Klea Dina me projekt muzikor në Konferencën Ndërkombëtare për Virginia Woolf në Londër 

Kultura July 15, 2025 - 13:09

Këngëtarja e re Klea Dina ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Virginia Woolf në Londër, e cila ka përfaqësuar Kosovën në këtë konferencë, ku kanë marrë pjesë mbi 350 pjesëmarrës nga universitetet dhe institucionet më të njohura të botës. 

Klea mori pjesë në Konferencën e 34-të Ndërkombëtare për Virginia Woolf, që u zhvillua nga 4 deri më 8 korrik 2025 në King’s College London dhe University of Sussex. Ajo prezantoi atje projektin e saj muzikor të titulluar “Time to Go”, një krijim origjinal që ndërthur muzikën me tekstin dhe ndjeshmërinë e veprës së Virginia Woolf.

Kjo këngë është realizuar në bashkëpunim me kompozitorin e njohur Florent Boshnjaku dhe përfaqëson një qasje artistike të thellë ndaj temës së disidencës së brendshme dhe ndjeshmërisë njerëzore, në linjë me frymën e konferencës.

“Në këtë konferencë, për herë të parë Kosova u përfaqësua me një zë të ri dhe të guximshëm, dhe unë pata nderin të jem pjesë e saj si folëse dhe artiste, duke prezantuar një projekt të veçantë muzikor të realizuar mbi fjalët e fundit të Virginia Woolf. Kënga u prezantua në fund të fjalimit tim dhe ngjalli emocione të mëdha te të pranishmit” ka thënë Klea, e cila ka shpjeguar se në fjalimin e saj në këtë konferencë ka thënë se vjen nga një vend i vogël si Kosova, por me shpirt të madh dhe zë që nuk ka frikë të dëgjohet. /kultplus

Image
Image