
“Kurrizi” do të përurohet me muzikë rok, grupi “Minatori” pjesë e këtij koncerti
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka njoftuar se më 13 korrik, prej orës 20:00, do të bëhet përurimi i nënkalimit në “Dardani”, i njohur si “Kurrizi”, ngjarje kjo që do të përfshijë muzikë dhe ekspozitë.
“Kurrizi” nuk ka qenë kurrë vetëm një shtegkalim. Ka qenë zemra alternative e qytetit, një udhëkryq idesh, ku muzika rok, kafenetë, ndejat spontane, ekspozitat e artit modern dhe lëvizjet e reja kulturore kanë gdhendur një frymë të lirë qytetare.
Me renovimin e tij, është krijuar një hapësirë e re që nuk ringjallet vetëm si vend takim për artin, por edhe si urë për kujtesën tonë kolektive, një epokë që na rikujton se liria dhe kultura janë gjithmonë të ndërlidhura, po aq sa e kaluara me të tashmen.
Le të fillojmë me një ekspozitë fotografish që ruan gjurmët e atyre që e bënë “Kurrizin” një hapësirë të gjallë alternative.
Grupi “Minatori”, që me tingujt e tyre rok dhe tekstet që këndonin, u kthyen në zë simbol të një brezi që nuk pranoi heshtjen.
DJ James, që solli rrymat elektronike dhe rok underground për ta mbajtur gjallë këtë puls.
Oda Haliti, që me performancën e saj sjell artin bashkëkohor dhe tingullin eksperimental si një vazhdim të gjallë të frymës që ky vend ka kultivuar.
Eja dhe përjeto këtë udhëtim përmes dy epokave, aty ku roku, elektronika dhe performanca bashkohen në një narrativë të vetme, që kujton të kaluarën dhe të tashmen përmes artit. /kultplus