
Kurti për ekspozitën “The Kosovo War Photographs”: Dëshmi për tmerrin që ka përjetuar populli ynë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “The Kosovo War Photographs” nga Wade Goddard.
Kurti u shpreh se fotografitë e Wades dokumentojnë më së miri tmerrin e dhimbjen që ka përjetuar populli shqiptar, shkruan Zeri.info.
“Nga tanket në rrugët e Kosovës, te fëmijët në karroca, nga rrënojat e shtëpive te kolonat e pafundme të traktorëve, nga ecjet dërrmuese në male, në momentet e fundit me të afërmit e vrarë mizorisht, këto rrëfime janë një rikthim i domosdoshëm, që na kujton sa e brishtë është jeta dhe sa rëndë e thellë kemi kaluar nëpër errësirë.
Për popullin tonë, tmerri që as s’imagjinohej, u bë realitet i përditshëm dhe mjerim i detyruar. Prandaj, kjo ekspozitë nuk është vetëm kujtim e përkujtim, por edhe ambient dokumentimi dhe thirrje për drejtësi për viktimat e gjenocidit dhe spastrimit etnik të Serbisë në pranverën e vitit 1999. Ju sugjeroj të gjithëve ta vizitoni”, shkroi Kurti në Facebook. /Zëri