Hapet panairi i librit “Prishtina 2025”
Foto: Laura Hasani

Hapet panairi i librit “Prishtina 2025”

Kultura June 11, 2025 - 14:18

Me moton "Inteligjenca rrjedh nga libri", është hapur në kryeqytetin e Kosovës panairi i librit "Prishtina 2025".

Panairi mblodhi shtëpitë botuese të vendit dhe rajonit në platenë e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

Motoja e panairit "Inteligjenca rrjedh nga libri" synon të jetë në kontekstin e "inteligjencës artificiale", për të thënë se dija e inteligjencës artificiale e ka burimin në dijen që tashmë ekziston në libra.

Image

Sipas organizatorëve, numri i titujve të rinj në gjuhën shqipe në edicionin e 25-të të Panairit është rreth 2 mijë, kurse numri i titujve të viteve të fundit rreth 6 mijë.

Mijëra qytetarë pritet të bëhen pjesë e panairit, i cili zgjat nga 11 deri më 15 qershor, për të eksploruar dhe blerë tituj librash të ndryshëm, nga historia, filozofia, letërsia, librat motivues, librat për fëmijë e të tjerë.

Panairi shihet nga lexuesit edhe si një ofertë e mirë financiare, për arsye se shtëpitë botuese zbresin çmimet e librave për së paku 20 për qind e më së shumti deri në 80 për qind.

Image

Në Panairin, i cili po mbahet në Prishtinë, mbizotërojnë librat e huaj të përkthyer në shqip nga anglishtja, gjermanishtja, turqishtja, arabishtja dhe gjuhët tjera.

Image

Llogaritet që në panair po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. /AA

Image

Image