Afrim Muçaj shpallet “Aktori më i mirë” në SEE Film Festival 2025 – Paris

Afrim Muçaj shpallet “Aktori më i mirë” në SEE Film Festival 2025 – Paris

Kultura June 11, 2025 - 12:24

Aktori kosovar Afrim Muçaj është shpërblyer me çmimin prestigjioz “Aktori më i mirë” në edicionin e 15-të të SEE Film Festival, i cili u mbajt në Paris.

Muçaj mori këtë vlerësim për rolin e tij kryesor në filmin “Everybody Calls Redjo” (Të gjithë e thërrasin Rexhën), një prodhim i cili po tërheq edhe vëmendjen ndërkombëtare.

Këtë e ka bërë të ditur përmes Facebook-ut regjisori Ibër Deari, i cili është shprehur i lumtur për aktorin dhe ka falënderuar jurinë prestigjioze dhe të gjithë atyre që besuan në këtë histori. Juria ndërkombëtare ishte e përbërë nga:

Frosa Pejoska-Bouchereau (kryetare), Madalina Vartejanu-Joubert, Igor Stankovië, Frederic Fappani von Lothringen, Yves Rousslet.

Pas këtij çmimi, aktori Afrim Muçaj, ka thënë për RTKLive se ndjehet shumë i lumtur dhe i nderuar me këtë vlerësim.

“Jam i lumtur dhe thellësisht i nderuar që roli im në filmin ‘Everybody Calls Redjo’ është vlerësuar me çmimin ‘Aktori më i mirë’ në edicionin e 15-të të SEE Film Festival 2025, që u mbajt në Paris”, ka theksuar Muçaj.

Tutje ai ka theksuar rëndësinë e punës ekipore dhe dedikimit që qëndron pas këtij filmi.

“Ky çmim është një moment i rëndësishëm jo vetëm për mua, por edhe një mirënjohje për punën e palodhur të gjithë ekipit që qëndron pas këtij filmi në krye me Ibron”, tha ai teksa shtoi se momente si ky të kujtojnë pse ia vlen të mos heqësh dorë kurrë.

Muçaj e ka përshkruar çmimin si një shtysë për të vazhduar rrugëtimin artistik me më shumë përkushtim dhe dashuri.

“Momente si ky të kujtojnë pse ia vlen të mos heqësh dorë kurrë. Ky çmim është edhe një nxitje për të vijuar rrugëtimin tim artistik me përgjegjësi, përkushtim dhe dashuri ndaj këtij profesioni. E ndaj këtë sukses me publikun, me kolegët e mi dhe me të gjithë ata që besuan dhe vazhdojnë të besojnë në punën time. Çdo rol është një rrugëtim i brendshëm dhe ky çmim është një stacion i bukur në këtë udhëtim të gjatë por fantastik”, ka thënë Muçaj.

Po ashtu filmi “Krejt e thirrin Rexhën” i regjisorit Ibër Deari ishte shpërblyer me çmimin për filmin më të mirë në kategorinë ‘Meridiana’ të festivalit prestigjioz Bari International Film Festival në Itali.

Ky film është një dramë sociale e ndërtuar rreth jetës së një të riu që lufton me paragjykimet, vetëpranimin dhe raportet familjare në një mjedis të ngarkuar emocionalisht dhe roli i Rexhos, i interpretuar nga Afrim Muçaj, është një portretizim kompleks i një individi që përpiqet të gjejë vendin e vet në një shoqëri që shpesh refuzon të kuptojë ndjeshmërinë dhe dallueshmërinë.

Premiera e filmit është mbajtur në Maqedoninë e Veriut e po ashtu është shfaqur në Kosovë, Shqipëri, në Kopenhagë, Bruksel etj.

Në filmin “Everybody Calls Redjo” me regji nga Ibër Deari, luajnë edhe aktorët Adriana Matoshi, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Bujar Ahmeti, Labinot Raçi, Bereda Reshit, Ledion Mulaki, Blerim Ismani, Muzafer Etemi, Valdeta Ismajli, Blerim Dardhishta, Sara Bajrami etj.

Image