“Shigjetaria tradicionale” hap zyrtarisht edicionin “Ditët e Historisë”

“Shigjetaria tradicionale” hap zyrtarisht edicionin “Ditët e Historisë”

Kultura June 02, 2025 - 22:39

Nisin Ditët e Historisë, organizuar nga Departamenti i Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë ceremonisë hapëse u theksua se mësimi i historisë nuk është vetëm çështje njohurish, por edhe përgjegjësi e shoqërisë dhe e shtetit.

Me aktivitetin simbolik të “Shigjetarisë Tradicionale” është hapur zyrtarisht ngjarja “Ditët e Historisë”, e organizuar nga Departamenti i Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Gjatë ceremonisë hapëse u theksua se mësimi i historisë nuk është vetëm çështje njohurish, por edhe përgjegjësi e shoqërisë dhe e shtetit.

“Departamenti i Historisë është më i vjetër se vetë Universiteti i Prishtinës, dhe për këtë jemi krenarë. Kjo rrit edhe përgjegjësinë tonë. Nëse nuk e dimë historinë, nuk mund ta kuptojmë të tashmen dhe as të ardhmen”, theksoi Arben Hajrullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës.

Për Mentor Hasani, shef i Departamentit të Historisë, ky aktivitet shënon jo vetëm një risi, por edhe një rikthim te rrënjët historike.

“Departamenti ynë, që nga viti 1960, ka nxjerrë shumë intelektualë që kanë kontribuar në fusha të ndryshme të jetës. Historia na ndihmon të kuptojmë vetveten dhe të tjerët, si dhe të ndërveprojmë më mirë në të ardhmen. Presim që ky departament të forcohet edhe më shumë në vitet që vijnë”, tha ai

Në shenjë nderimi për kontributin e dëshmorit Rrustem Hyseni, çdo vit ndahet çmimi “Rrustem Hyseni” për studentët më të dalluar të këtij departamenti, i cili iu nda studentit të ndjerë Arbër Ibrahimi.

“Rrusta u dallua për notat e shkëlqyera dhe për angazhimin e tij si student. Ai ishte i suksesshëm dhe aktiv në Lëvizjen Studentore, duke treguar trimëri në një periudhë të vështirë për Kosovën”, theksoi Bujar Dugolli, profesor i historisë.

Ndërsa dekani i Fakultetit Filozofik, Bekim Baliqi, theksoi se historia është një nga shkencat më vitale për një shoqëri dhe për kombin./rtk