Fillon punimet edicioni i 16-të i “Javës së Albanologjisë 2025”

Fillon punimet edicioni i 16-të i “Javës së Albanologjisë 2025”

Kultura May 26, 2025 - 20:02

Në Prishtinë ka nisur sot edicioni i gjashtëmbëdhjetë i konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, një ngjarje e rëndësishme që prej vitesh mbledh studiues nga e gjithë bota për të trajtuar çështje të identitetit, historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Ky aktivitet përfaqëson konsolidimin e një qasjeje të re akademike, që ndërthur në mënyrë të strukturuar prezantimin, shkëmbimin dhe promovimin e rezultateve shkencore në albanologji. Java e Albanologjisë është shndërruar në një traditë të qëndrueshme dhe një hapësirë e domosdoshme shkencore për paraqitjen dhe analizën e arritjeve në këtë fushë. Me pjesëmarrjen e 107 studiuesve nga vende të ndryshme, ky edicion tregon rëndësinë ndërkombëtare që po fiton disiplina e albanologjisë”, deklaroi Naim Berisha – U.D. drejtor i Institutit Albanologjik

Në ceremoninë hapëse, ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili vlerësoi lartë punën e albanologëve, duke përmendur edhe sfidat e reja që u dalin atyre.

“Periudha e lindjes së albanologjisë përkon me ndërgjegjësimin tonë kombëtar, dhe sot kjo fushë përballet me sfida të reja, qoftë në debatin për vazhdimësinë iliro-shqiptare, qoftë në përpjekjet për të ruajtur dhe promovuar autoktoninë tonë në këto troje.
Fatkeqësisht, shumë prej këtyre çështjeve nuk trajtohen më vetëm në kuadër të diskutimeve shkencore, por shfrytëzohen nga propaganda dhe agjenda politike për të përkrahur narracione që synojnë dobësimin e identitetit shqiptar në Ballkan” u shpreh Kurti.

Ngjarja e përvitshme, sipas ambasadorit shqiptar në Kosovë, Petri Malaj, nuk është vetëm një takim mes akademikëve.

 “Është një akt përkujtimi, nderimi dhe vlerësimi ndaj trashëgimisë sonë të përbashkët gjuhësore dhe historike. Është një thirrje ndaj kujtesës sonë kolektive dhe një nxitje për të avancuar më tej në kërkimin shkencor, deklaroi Petrit Malaj

Konferenca është hapur me Sesionin e Historisë, që trajtonte temën “Ndërthurja e identitetit fetar te shqiptarët: nga besimet pagane te pluralizmi bashkëkohor”. Edicioni i sivjetëm i “Javës së Albanologjisë” do të zgjasë deri më 30 maj, me sesione të dedikuara për gjuhësinë, letërsinë, folklorin dhe etnomuzikologjinë, si dhe etnologjinë./dukagjini