
Kori i Fakultetit të Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” fiton çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar në Kroaci
Kori i Fakultetit të Arteve nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në edicionin e 14-të të Konkursit Ndërkombëtar të Koreve në Zadar të Kroacisë, duke u vlerësuar me çmimin e dytë në një garë të fuqishme me kore nga Italia, Sllovenia, Kroacia dhe vende të tjera.
Nën drejtimin artistik të Prof. Dr. Hysen Nimanit, dirigjent i njohur dhe i vlerësuar për punën e tij me gjenerata të reja të artistëve, kori përfaqësoi me dinjitet dhe nivel të lartë profesional skenën artistike kosovare.
“Ky vlerësim ndërkombëtar është pasqyrim i gjallë i talentit, përkushtimit dhe shpirtit krijues që të rinjtë tanë mbajnë brenda vetes,” thuhet në njoftimin e lëshuar nga Universiteti “Haxhi Zeka”.
Pjesëmarrja e korit në këtë ngjarje të rëndësishme muzikore ndërkombëtare, sipas universitetit, “nuk ishte vetëm një përfaqësim formal, por një shfaqje e dinjitetit, pasionit dhe fuqisë së artit që bashkon zemrat përtej kufijve.”
Universiteti shprehu mirënjohje të thellë për studentët pjesëmarrës dhe udhëheqjen artistike të korit, duke theksuar se “ky sukses është një shembull frymëzues i asaj që mund të arrihet kur pasioni i të rinjve mbështetet fuqishëm nga një institucion që beson në fuqinë transformuese të artit.”
Konkursi në Zadar, që u mbajt nga 22 deri më 25 maj 2025, mblodhi kore të përzgjedhur nga e gjithë Evropa dhe shënoi një platformë të rëndësishme ndërkombëtare për promovimin e kulturës vokale.
“Ky çmim është më shumë se një trofe – është një dëshmi që puna me përkushtim dhe dashuria për artin mund të tejkalojnë çdo sfidë,” thuhet më tej në njoftim. “Është një frymëzim për të gjithë të rinjtë që besojnë në ëndrrat e tyre dhe një mesazh se kultura dhe muzika janë ura që na lidhin me botën dhe me njëri-tjetrin”, thuhet në njoftim.