Sa real është filmi i shumëpërfolur “Conclave” në lidhje me zgjedhjen e një Pape të ri?

Sa real është filmi i shumëpërfolur “Conclave” në lidhje me zgjedhjen e një Pape të ri?

Kultura May 07, 2025 - 22:49

Vdekja e Papës Françesku shënon fundin e një epoke për Kishën Katolike dhe hap rrugën për një nga ngjarjet më të fshehta dhe më të lashta të historisë: zgjedhja e Papës së ri.

Françesku ndërroi jetë më të hënën e Pashkëve, në moshën 88-vjeçare, njoftoi Vatikani. Ai u zgjodh si Papa i 266-të në mars të vitit 2013 dhe ndarja e tij nga jeta aktivizon menjëherë një proces shekullor, i cili pritet të nisë më 7 maj.Ky proces quhet konklavë – një term që frymëzoi edhe romanin e vitit 2016 nga Robert Harris, të cilit iu adaptua më pas një film që fitoi çmime Oscar. Filmi “Conclave” zhvillohet gjatë një mbledhjeje imagjinare të kardinalëve të veshur me të kuqe, që mblidhen në Romën e Përjetshme për të votuar se kush do të udhëheqë rreth 1.4 miliardë katolikë në botë.Filmi triller është në dispozicion për t’u parë në Prime Video apo për t’u blerë apo marrë me qira në platformat Apple TV dhe Fandango.

Publiku është i njohur kryesisht me momentin përmbyllës të një konklave – tymin e bardhë që ngrihet nga oxhaku i Kapelës Sistine, duke shpallur përzgjedhjen e Papës së ri, i cili më pas shfaqet në ballkonin qendror të Bazilikës së Shën Pjetrit.

Por, duke qenë se Vatikani nuk është pjesë e botës së Hollywood-it, lind pyetja: si arritën realizuesit e filmit të përshkruajnë me aq saktësi detajet – nga veshjet ceremoniale, deri te betimet në latinisht?

Peter Straughan, skenaristi i filmit, në një intervistë për USA Today tha: “Na u mundësua një vizitë private në Vatikan, dhe ishin goxha mikpritës e të hapur. Ishte një projekt kërkimor i thellë. Bota e konklavit është jashtëzakonisht teatrale dhe e pasur në simbolikë, ndaj donim ta paraqisnim me përpikmëri”.Sipas tij, zyrtarët e Vatikanit nuk e kundërshtuan skenarin e guximshëm të filmit dhe ishin të hapur edhe për pasqyrimin e intrigave politike brenda një konklave. “Nuk donim të ishim të butë ndaj Kishës – e cila ka shumë mangësi – por kemi treguar respekt për thelbin e saj shpirtëror,” u shpreh ai.

A izolohet vërtet bota e jashtme gjatë konklavës?Po. Ashtu siç shfaqet në “Conclave”, sapo një zyrtar i Vatikanit shqipton fjalët “Extra omnes” (të gjithë jashtë), të gjithë personat jo të autorizuar largohen, dhe kardinalët nuk mund të komunikojnë më me botën e jashtme. “Asnjë informacion nuk duhet të hyjë apo të dalë që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjes,” thekson Straughan.

Megjithatë, disa zyrtarë teknikë mund të lëvizin brenda dhe jashtë, nëse është e nevojshme, por kardinalët mbeten të izoluar deri në përzgjedhjen e Papës së ri, që kërkon dy të tretat e votave. Straughan thotë se, ndonëse filmi paraqet lëvizje të ngjashme me hetime, në realitet ato janë më të kufizuara.

A flenë kardinalët në Vatikan gjatë konklavës?Po. Kardinalët akomodohen në Casa Santa Marta, një ndërtesë modeste brenda Vatikanit. Aty kanë mundësi të qëndrojnë në dhoma të thjeshta, të takohen në oborre apo të hanë në mensë së bashku.

“Pamjet janë një përzierje e çuditshme mes bukurisë antike dhe madhështisë, e kontrastuar me një ndjesi të një konference moderne biznesi,” tregon Straughan. “Ka një atmosferë teatrale në Kapelën Sistine dhe një ndjesi modeste prapa skenës. Kjo kontrast e bën një vend shumë interesant për ta vendosur filmin.”

A është procesi i votimit kaq solemn dhe i formalizuar?Po. Kardinalët votojnë deri në katër herë në ditë, veçanërisht në fillim të procesit. Ashtu siç tregohet në film, procesi është solemn dhe ritualistik. Secili kardinal afrohet te urna, heq votën e shkruar dhe shqipton një betim në latinisht përpara se ta hedhë brenda.Fletët e votimit palosen dhe vendosen në një pjatë, përmes së cilës rrëshqiten në një enë tjetër. Në fund, votat qepën së bashku dhe digjen me një përzierje kimike për të krijuar tymin e zi (kur nuk ka rezultat) ose të bardhë (kur është zgjedhur Papa).

A është filmi xhiruar në ambientet e Vatikanit?Jo. Asnjë pjesë e filmit nuk është xhiruar në Vatikan. “Nuk lejohet të xhirosh në Vatikan, kurrë,” tha Straughan.

Shumica e skenave janë realizuar në ndërtesa historike në Romë, të cilat për nga pamja dhe arkitektura mund të shërbejnë si zëvendësuese të vendeve autentike të Vatikanit. Ndërsa interierët e Kapelës Sistine janë rikrijuar në studio, përfshirë edhe tavanin e famshëm të Michelangelo-s, që është një kopje kompjuterike shumë e detajuar. /Telegrafi