
Vlerësohet lart figura e Skënderbeut që la shenja të pashlyeshme në histori
Në 620-vjetorin e lindjes se heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është mbajtur simpozium ku u vlerësua lart figura e heroit që la shenja të pashlyeshme në histori.
Përvjetori i tij i lindjes u kujtua në një simpozium shkencor me temën "Jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit", ku të pranishmit vlerësuan lart figurën e heroit që la shenja të pashlyeshme në histori.
I pranishëm në këtë simpozium ishte edhe stërnipi i Skënderbeut, Loris Kastriota Skënderbeg.
“Ne duhet ta kemi parasysh ta kujtojmë identitetin tonë shqiptar të shqiptarëve të Kosovës, Shqipërisë dhe të atyre kudo që gjendjen në diasporë. Ne duhet të jemi krenar se sa të mëdhenj jemi ne, origjina jonë, jo vetëm për vendin tonë por për Evropën dhe mbarë botën”, tha stërnipi i Skënderbeut.
Muhamet Malaj, profesor i historisë theksoi se përmes emrit të Skënderbeut, shqiptarët në sytë e popujve të Evropës e fituan namin dhe madhështinë që nuk e patën asnjëherë më parë, duke u ngritur në mbrojtje të vendit të tyre por edhe të qytetërimit evropian.
Kurse Mark Palnikaj, historian tha se “Populli shqiptar ka luftuar gjatë 20 shekujve kundër pushtuesve të ndryshëm, të cilët në shumë raste kanë ushtruar edhe genocid ndaj popullsisë paqësore të kombit tonë”.
Në 620-vjetorin e lindjes së Skënderbeut, në kryeqytet u mbajtën aktivitete të ndryshme, ku u hap edhe ekspozita e artit pamor “Vepra të frymëzuara me figura dhe trashëgimia e Skënderbeut”./rtk