
Vila e Enver Hoxhës shndërrohet në qendër arti dhe kulture, 40 vjet pas vdekjes së tij
Vila e dikurshme e Enver Hoxhës, ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë, është kthyer tashmë në një qendër inovative të artit dhe kulturës me emrin Vila 31 x Art Explora.
Ceremonia e inaugurimit u mbajt me praninë e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Turizmit, Blendi Gonxhja.
Kryeministri njoftoi se qendra ka mirëpritur rezidentët e saj të parë nga vende si Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e të tjera, të cilët do të sjellin një program të pasur kulturor me performanca, diskutime, punëtori, lexime dhe shfaqje filmash. Nga data 9 deri më 13 prill, hyrja do të jetë e lirë për të gjithë vizitorët.
Transformimi i Vilës 31 ndodh në një moment simbolik: më 11 prill 2025 shënohen 40 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës. Një figurë kontradiktore në historinë shqiptare, Hoxha ka lënë pas një trashëgimi të ndarë mes kujtimit si një drejtues që udhëhoqi vendin për gati katër dekada dhe kritikës së thellë për regjimin e tij autoritar.
Gjatë sundimit të tij 40-vjeçar, Shqipëria përjetoi një izolim të thellë ndërkombëtar, ndërsa brenda vendit, regjimi karakterizohej nga eliminimi sistematik i opozitës, burgosje dhe ekzekutime të kundërshtarëve politikë, si dhe internime masive të familjeve të tyre në zona të thella rurale nën mbikëqyrjen e rreptë të policisë dhe Sigurimit të Shtetit.
Hoxha vuante nga diabeti për shumë vite dhe shëndeti i tij u përkeqësua ndjeshëm pas dy infarkteve në vitet 1972 dhe 1973. Më 9 prill 1985, ai pësoi një ishemi të rëndë që e la të paralizuar, dhe vdiq më 11 prill të po atij viti. Ai u varros me një ceremoni madhështore në Varrezat e Dëshmorëve, por pas rënies së regjimit komunist, eshtrat e tij u zhvendosën në varrezat publike në Sharrë, ku prehen edhe sot.
Kthimi i Vilës 31 në një hapësirë për artin dhe debatin kulturor është parë nga shumëkush si një akt simbolik që ndërthur të shkuarën me të tashmen, duke i dhënë një destinacion të ri një prej objekteve më të ngarkuara historikisht në kryeqytet.