
Kurti mori pjesë në promovimin e librit “Një kosovar si Radomiri - Radomir Dimiq, përmbledhje shkrimesh”
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e librit “Një kosovar si Radomiri-Radomir Dimiq, përmbledhje shkrimesh”, që u mbajt në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti vlerësoi lart këtë botim, të cilin e cilësoi si testament të guximit, të së vërtetës dhe të shpirtit të pathyeshëm të njeriut. Ai theksoi se libri, përmes reflektimit të së kaluarës, pasqyron realitetin dhe shërben si një thirrje e fuqishme për të ardhmen.
“Radomir Dimiq ishte një emër i dalluar në politikë e në gazetari, por edhe një njeri që guxoi të sfidonte narrativat e kohës, të ngrinte zërin kur shumëkush heshti dhe të shihte Kosovën me sy dhe zemër të hapur. Ky libër përmbledh shkrimet e tij, rrëfimet dhe bindjet e tij, angazhimin dhe betejën e tij për drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin”, u shpreh kryeministri.
Duke folur për angazhimin e shkrimtarit, kryeministri tha se ky angazhim nuk ishte i lehtë, pasi Dimiq pagoi çmimin e guximit të tij duke u shpallur tradhtar në Beograd dhe duke u sulmuar nga strukturat nacionaliste shtetërore dhe para-shtetërore.
“Ai kërkoi që Serbia të pranonte përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, që të ndalej propaganda që i ndante komunitetet dhe që të hapeshin rrugët e pajtimit. "Serbia duhet të kërkojë falje për frigoriferët me kufoma shqiptarësh, për dhunimin e grave" – shtonte ai”, deklaroi kryeministri Kurti.
Tutje, theksoi se Dimiq në shkrimet e tij vazhdimisht përsëriste nevojën për një narrativë të ndershme dhe të drejtë si dhe duke kundërshtuar versionet e shtrembëruara të historisë që mbajnë gjallë urrejtjen dhe frikën.
“Shkrimet e tij janë dëshmi e një njeriu që nuk u nënshtrua kurrë. Ai nuk e mohoi asnjëherë realitetin e dhimbshëm, por u përpoq ta ndryshonte atë. Ai e dinte që pajtimi nuk mund të ndodhë pa drejtësi dhe që drejtësia nuk është hakmarrje, por një akt përgjegjësie, qytetërimi dhe reflektimi”.
Kryeministri bëri thirrje që ketë libër ta lexojmë jo vetëm si dokument për të kaluarën e udhërrëfyes për të ardhmen, por ta mendojmë në të tashmen për një Kosovë ku e vërteta thuhet pa hezitim, ku drejtësia zbatohet pa vonesë dhe ku pajtimi synohet përnjëmend.
Kryeministri Kurti falënderoi në veçanti shkrimtarin Radomir Dimiq dhe të gjithë të pranishmit e tjerë, me ç’rast përsëriti thirrjen “ta dëgjojmë të vërtetën dhe mbi të vërtetën, të punojmë e kontribuojmë për Kosovën tonë të përbashkët”.