AQSHF-ja restauron filmin ikonë “Ngadhnjim mbi vdekjen”

AQSHF-ja restauron filmin ikonë “Ngadhnjim mbi vdekjen”

Kultura March 11, 2025 - 12:35

58 vjet pas realizimit, vjen i restauruar në 4K, një nga filmat ikonë të kinematografisë shqiptare, “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Filmi, prodhim i vitit 1967, është vepër e dy regjisorëve, Gëzim Erebara dhe Piro Milkani dhe skenaristit Peçi Dado.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bëri të ditur se, “Ngadhnjim mbi vdekjen” do të vijë i restauruar nga Augustus Color me shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit.

Premiera e filmit të restauruar do të bëhet në kinema Millennium në datën 25 mars.

Ngjarjet e filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen” zhvillohen në Shqipërinë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Vendi është nën pushtimin nazist. Gjermanët kapin dy vajza të reja dhe i torturojnë ato për të zbuluar lidhjet me lëvizjen komuniste. Në fund ata i ekzekutojnë duke i varur në litar në mes të qytetit për të trembur dhe terrorizuar popullin. Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të interpretuara nga Eglantina Kume dhe Edi Luarasi, ndërsa personazhi i oficerit gjerman, u interpretua nga i madhi Naim Frashëri. /atsh