Vlerësohet lart roli i veprës së Alban Bujarit në dokumentimin e luftës dhe paqes
Foto: Laura Hasani

Vlerësohet lart roli i veprës së Alban Bujarit në dokumentimin e luftës dhe paqes

Kultura March 03, 2025 - 12:45

Rëndësia e veprës së fotoreporterit Alban Bujari në dokumentimin e krimeve të luftës e të ngjarjeve që shënuan kohën e pasluftës është ritheksuar edhe një herë në mbledhjen komemorative “Alban Bujari, fotoreporteri i së vërtetës”, e cila është mbajtur të hënën në Prishtinë, në nderim të veprës dhe jetës së fotoreporterit Alban Bujari.

Mbledhja komemorative ka nisur me një minutë heshtje në nderim të tij.

Në mbledhje është shfaqur edhe dokumentari për Bujarin me titull “Dokumentuesi i luftës dhe i paqes”.

Publicisti Veton Surroi tha se Albani nuk ishte vetëm njëri nga ata që e përjetuan lirinë e Kosovës, por që e ndihmuan që të ndërtonin lirinë.

Ai theksoi se Albanin me fotografin e tij paraqiti të vërtetën e asaj që po ndodhte në Kosovën e viteve ’90.

“Sot jemi mbledhur këtu për të nderuar jetën e tij, por me shumë se kaq për ta kremtuar jetën e tij. Sepse kjo nuk është vetëm mbledhje kujtim, është një kremte e jetës, e veprave e trashëgimisë që na la pas. Kremtojmë jetën e një njeriu që e deshi lirinë dhe që e jetoje atë liri duke e krijuar. Liria nuk është një dhuratë, ajo është akt i vonueshëm i krijimit dhe Albani ishte një krijues i saj. Nja nga ta jo që vetëm e përjetuan lirin e Kosovës por edhe e ndihmuan ata ta ndërtonin”, u shpreh ai.

Alban Bujari ishte pjesë e ekipit të KOHËS që kur nisi karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore” në vitin 1997.

Ai ishte pjesë e grupit të fotoreporterëve kosovarë që kanë përcjellë zhvillimet politike dhe sociale të fundviteve '90.

Në veçanti luftën mes UÇK-së dhe forcave serbe dhe krizën humanitare të refugjatëve shqiptarë të Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe, puna e Bujarit u botua në mediat më prestigjoze ndërkombëtare, si “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian”, “El Pais”, “Fokus”, “Suddeutche”, “Zeitung”, “Kyoto News”, e plot të tjera.

Ndër fotografitë më të dalluara janë ato të masakrimit të familjes Jashari në Prekaz më 1998, masakrën e Reçakut më 1999, masakrën e shqiptarëve në Rogovë më 1999.

Dhe pos tjerash edhe faktimin e transformimit të UÇK-së në TMK e deri në FSK-në profesionale me synim në NATO.

Alban Bujari gjithashtu ka punuar edhe për agjencinë evropiane të shtypit EPA, përgjegjës për mbulimin e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99. /eo

Image