
Ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”, bashkëpunim i Institutit të Tiranës dhe Prishtinës
Sot, në hapjen e ekspozitës “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”, i organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik në Prishtinë, u nënshkrua marrëveshja mes dy palëve.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik në Prishtinë, Naim Berisha, tha se ky moment shënon një akt të rëndësishëm reflektimi mbi sakrificat e atyre që vunë themelet e gjuhës së shkruar shqipe.

“Nëpërmjet kësaj ekspozite, ne sjellim në vëmendje një pjesë të rëndësishme të historisë sonë, një trashëgimi të çmuar që na kujton vlerat e lirisë dhe identitetit kombëtar. Historia e alfabetit shqip është e lidhur ngushtë me përpjekjet për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe zhvillimin e arsimit shqip. Hartuesit e tij, përballë presioneve dhe ndëshkimeve të rënda, nuk u tërhoqën nga ideali i një kombi të arsimuar dhe të lirë. Kjo ekspozitë, përmes dokumenteve, fotografive dhe dëshmive autentike, paraqet sakrificat dhe qëndresën e tyre, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë sonë kulturore dhe historike”, tha Berisha.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, e cilësoi ekspozitën si një akt të rëndësishëm për pasqyrimin e së kaluarës dhe formësimin kombëtar.
Ai theksoi se është detyrë morale dhe kombëtare të kujtohen figurat që kontribuuan në gjuhën shqipe dhe të mbrohen të vërtetat historike.

“Është privilegj dhe përgjegjësi politike të marrim pjesë në këtë ekspozitë të veçantë, e cila pasqyron të kaluarën e errët dhe formësimin tonë kombëtar. Atyre u mohua atdhedashuria, orientimi perëndimor dhe patriotizmi për të pasur një gjuhë të përbashkët, vetëm sepse politikisht nuk ishin të përshtatshëm për regjimin komunist. Është një përpjekje e rëndësishme për ata që kontribuuan në gjuhën shqipe dhe që sot na bashkon. Kjo ekspozitë jep një mesazh të qartë që kurrë të mos ndalojmë së kërkuari të vërtetat tona historike. Për ne si komb, është detyrë morale dhe kombëtare të kujtojmë këto figura të shquara. Këto ngjarje do të shërbejnë si reflektim dhe mbrojtje e demokracisë dhe lirisë”, tha ai.
Drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Çelo Hoxha, tha se kanë dokumentuar persekutimin e 46 mijë viktimave të komunizmit dhe kanë botuar një vepër 12-vëllimshme. Ai theksoi rëndësinë e informimit publik për zbardhjen e historisë.
“Ky institut funksionon prej 15 vitesh. Deri tani kemi arritur të evidentojmë viktimat e regjimit komunist dhe për këtë kemi botuar një vepër të plotë me 12 vëllime, ku kemi dokumentuar mënyrën e persekutimit të 46 mijë personave. Një pjesë e punës sonë është edhe informimi i publikut dhe brezit të ri. Qëllimi ynë është të studiojmë historinë e Partisë Komuniste, lidhjet që ajo kishte dhe kujt i shërbente. Partia Komuniste, ndonëse pretendonte se i shërbente kombit shqiptar, në fakt dëmtonte ekonominë dhe popullin shqiptar. Regjimet komuniste bashkëpunuan edhe në Kosovë dhe interesi ynë është të zbardhim këto histori, ndaj dhe po bëhet kjo marrëveshje. Shpresojmë të arrijmë diçka dhe bashkëpunimi të jetë i mbarë”, tha Hoxha.
Gjatë ekspozitës u prezantuan fakte të panjohura më parë mbi persekutimin komunist të hartuesve të alfabetit shqip dhe familjeve të tyre. /Eo
