
“Kufiri”, drama mbi dëshpërimin dhe shpresën në mes të askundit
Në teatrin “Oda” në Prishtinë, po vazhdon të jepet shfaqja “Kufiri”, shfaqje kjo e cila sjell një rrëfim të fuishëm mbi sfidat, ëndrrat dhe sakrificat e atyre që kërkojnë një jetë më të mirë përtej vijave të ndarjes gjeografike dhe politike. Me regji të Sovran Nrecaj dhe tekst të autores Ana Ristoska Trepenoska, kjo shfaqje synon të zgjojë ndjeshmëri dhe reflektim tek publiku për një ngjarje që është përherë aktuale.
Në qendër të skenës qëndron i shtrirë një djalë 12-vjeçar, një simbol i ëndrrës evropiane dhe realitetit të vështirë të migrimit, imazh ky nga i cili fillon e gjithë drama e kësaj shfaqje. Përmes një ndërtimi narrativ që i ngjason rrëfimit dokumentar, megjithatë shpeshherë shfaqja ofron një përvojë, ku kufijtë mes reales dhe imagjinares bëhen të paqartë.
“Kufiri” ofron publikun në kaosin që ndodhë në vendin e ashtuquajtur “Ne mesin e askundi”, aty ku përcaktohet fati i gjithsecilit që merr rrugën e migrimit nëpërmjet rrugëve ilegale. Shfaqja ofron botë e karaktere të ndryshme, e që i lidh vetëm një linjë, ajo për të kaluar kufirin. Shpeshherë këto rrugë merren pa dëshirë, siç shpjegohet në këtë shfaqje, fati i këtij 12-vjeçari që humb jetën teksa po kalonte lumin së bashku me familjen e tij.
Nëpërmjet simboleve natyraliste, si udhëtimi 10 mijë kilometra i ngjalave apo shtegtimi i lejlekëve drejt vendeve të ngrohta, shfaqja i jep dimension artistik arsyes së largimit të njerëzve. Megjithatë, lisi mbetet i palëvizshëm, duke përfaqësuar ata që mbeten, ata që hedhin rrënjë dhe zgjedhin të mos largohen.
Pesë aktorët transformohen vazhdimisht, duke luajtur role të ndryshme – nga emigrantët e dëshpëruar te policët kufitarë, trafikantë të qenieve njerëzore, reporterë, e gjitha kjo në përpjekje për të pasqyruar kompleksitetin e fenomenit të migracionit.
Shfaqja në tërësi prek barrën e rëndë të migrimit në të gjithë botën duke vënë hera herës edhe statistika të dhimbshme për përfundimet fatale të shumë prej atyre që kërkonin për një botë me të mirë në një vend të huaj. Megjithatë për publikun vendas, duket sikur kjo shfaqje i është dedikuar pikërisht atyre, sepse fenomeni i migrimit, si shkak i rrethanave politike e ekonomike, ka qenë gjithmonë i shfaqur për kosovarët.
Në një strukturë të ndërtuar për të sfiduar perceptimet e publikut, “Kufiri” zbërthen jo vetëm dramën e atyre që largohen, por edhe politikën, moralin dhe ndikimet sociale të një bote të ndarë nga barrierat fizike dhe ideologjike.
Regjisori i shfaqjes, Sovran Nrecaj, tha për KultPlus se kjo shfaqje ka për qëllim që zërin e atyre që kanë migruar apo duan të migrojnë ta paraqesin përpara publikut.
“Përmes shfaqjes kufiri, kemi tentuar që të eksplorojmë më shumë mbi temën e migracionit, zhvendosjes dhe përkatësisë. Nëpërmjet kësaj shfaqje kemi tentuar që njerëzit që kanë migruar ose dëshirojnë të migrojnë në të ardhmen dhe të cilët kanë qenë pjesë e valës së migracionit nga Kosova dhe nga Ballkani në përgjithësi t’i nxjerrim nga statistikat dhe zërin e tyre ta paraqesim në skenë, pra të mos jenë ata vetëm numra ose ‘edhe një tjetër’, por historia e tyre të vijë plotësisht te audienca, ky ka qenë qëllimi kryesor. Po ashtu kemi tentuar që këto rrëfime njerëzish t’i ballafaqojmë në të njëjtën kohë edhe me politikat e ashpra, kryesisht nga perëndimi, të cilët i kanë shtyrë këta njerëz që ta marrin këto rrugë ilegale”, theksoi Nrecaj.
Ndërkaq, ju kujtojmë se në shfaqjen ‘Kufiri’ luajnë aktorët: Shpetim Selmani, Verona Koxha, Kosovare Krasniqi, Blend Sadiku dhe Leart Nrecaj.