Të hënën mbahet mbledhja komemorative për Alban Bujarin

Të hënën mbahet mbledhja komemorative për Alban Bujarin

Kultura March 02, 2025 - 14:43

Në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, të hënën nga ora 12:00, do të mbahet mbledhja komemorative “Alban Bujari, fotoreporteri i së vërtetës” në nderim të veprës dhe jetës së fotoreporterit Alban Bujari.

Në mbledhjen komemorative do të shfaqet dokumentari për Bujarin, “Dokumentuesi i luftës dhe i paqes”, shkruan Koha.

Fotoreporteri, Alban Bujari, vdiq në mbrëmjen e 27 shkurtit pa i mbushur 55 vjet.

Alban Bujari ishte pjesë e KOHËS. Ai ishte pjesë e grupit të fotoreporterëve kosovarë që kanë përcjellë zhvillimet politike dhe sociale të fundviteve të ‘90-ta.

Në veçanti luftën mes UÇK-së dhe forcave serbe dhe krizën humanitare të refugjatëve shqiptarë të Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe, puna e Bujarit u botua në mediat më prestigjioze ndërkombëtare, si “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian”, “El Pais”, “Fokus”, “Suddeutche”, “Zeitung”, “Kyoto News”, e plot të tjera.

Ndër fotografitë më të dalluara janë ato të masakrimit të familjes Jashari në Prekaz më 1998, masakrën e Reçakut më 1999, masakrën e shqiptarëve në Rogovë më 1999. Dhe pos tjerash edhe faktimin e transformimit të UÇK-së në TMK e deri në FSK-në profesionale me synim në NATO.

Alban Bujari gjithashtu ka punuar edhe për agjencinë evropiane të shtypit EPA, përgjegjës për mbulimin e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99.

Image