Monodrama “42nd Street” në New York

Monodrama “42nd Street” në New York

Kultura February 27, 2025 - 11:36

Monodrama “42nd Street” është shfaqja e parë shqiptare që merr pjesë në festivalin prestigjioz në “New York Theater Festival”. Diar Xani është autori, regjisori dhe aktori i kësaj monodrame.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin e mëngjesit ai tregoi për RTK-në detaje rreth prezantimit në Nju-Jork.

“Dje është dhënë shfaqja në ‘New York Theater Festival’, por shfaqjen e kam luajtur unë, sepse aktorja nuk ka pasur mundësi që të vijë këtu, sepse ajo jeton në Kosovë dhe e kishte të pamundur ardhjen këtu. E unë nuk kam dashur assesi që ta humb rastin për pjesëmarrje në këtë festival. E mira e kësaj ka qenë që kam pasur tri javë kohë për ta punuar shfaqjen dhe po ia dola, edhe pse kishte më shumë vështirësi, sepse është shumë më e vështirë, sepse vetë më është dashur ta bëj regjinë, rolin dhe po thuajse të gjitha vetë”, u shpreh Xani.

Ai e përshkroi edhe rrugën “42nd Street” në Manhattan, prej ku edhe e ka emrin kjo shfaqje. Kjo rrugë shquhet për ndriçimin e reklamave që projektojnë luks dhe mirëqenie, ku vërshojnë turistët, por gjithashtu është një rrugë që ka tërhequr historikisht të pastrehët dhe krimin e zakonshëm. Kjo është rruga nga nis sheshi i famshëm Times Square, i festave tradicionale të ndërrimit të viteve, si dhe i stacioneve të autobusëve dhe trenave të MetroNorth.