Karnavalet e Shkodrës, fëmijët shpalosin kreativitetin e tyre përmes paradave dhe koncerteve

Karnavalet e Shkodrës, fëmijët shpalosin kreativitetin e tyre përmes paradave dhe koncerteve

Kultura February 20, 2025 - 17:31

Karnavalet e Shkodrës janë kryefjala e organizimeve artistike në këtë qytet prej datës 17 shkurt, ndërsa pritet të kulmojnë në 23 shkurt me një festë madhështore me muzikë dhe pjesëmarrjen e shumë personazheve publikë.

Bashkia Shkodër ka shpërndarë sot disa foto nga atmosfera festive e karnavaleve, ku protagonistë kanë qenë fëmijët nga shkollat e qytetit.

Me kostume shumëngjyrëshe dhe interpretime të ndryshme, ata kanë sjellë gjallëri në rrugët e qytetit përmes paradave, koncerteve dhe aktiviteteve artistike. Një festë që ruan traditën dhe sjell gëzim për të gjithë.

Prej tri ditësh në Shkodër ka nisur Festa e Karnavaleve, ku kostumet shumëngjyrëshe, maskat si dhe atmosfera festive po mbizotërojnë në të gjitha rrugët, sheshet dhe në kalanë e Rozafës. Të rinjtë dhe fëmijët e qytetit kanë shpalosur kreativitetin e tyre.

Shkodra është qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen. Festimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90./atsh