“Kërcimtari fluturues”, Rexhep Çeliku rikthehet në skenën e TKOB

“Kërcimtari fluturues”, Rexhep Çeliku rikthehet në skenën e TKOB

Kultura February 19, 2025 - 17:15

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të sjellë një koncert në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në nder të Rexhep Çelikut “Nder i Kombit”, i cilësuar dhe si kërcimtari fluturues.

Rexhep Çeliku dhe madhështia e valles së tij do të kujtohet në një shfaqje të veçantë në formën e një galaje të madhe, ku do të rrëfehet edhe historia e jetës dhe veprimtarisë artistike të tij.

 “Është një shfaqje  e ndërtuar në formën e një galaje të madhe, ku përveç numrave artistik, vallet kryesisht, të cilat janë ndarë në dy pjesë, në krijimtarinë e Profesor Rexhep Çelikut dhe në rolet e tij solistike gjatë gjithë aktivitetit të  tij artistic në skenë, do të kemi dhe pjesë që do të shfaqin historinë dhe fillimet e Rexhep Çelikut në skenën e Teatrit Kombëtar të Baletit”, , Sokol Marsi, Drejtuesi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Gjithë programi është mbështetur në trupën artistike të Ansamblit Kombëtar, orkestrinës, ku kryefjalë është vallja, por nuk do të mungojnë as të ftuarit specialë siç është Irini Qirjako

Ky koncert do të prezantojë krijimtarinë dhe interpretimet solistike të mjeshtrit Çeliku, bazuar në repertorin e tij artistik, shoqëruar me këngë të përzgjedhura, si dhe momente nga jeta dhe karriera e tij, me vlerësime nga personalitete të ndryshme.

Nxënës të tij dhe valltarë të rinj, të cilët e njohin dhe vlerësojnë emrin e Çelikut, por nuk e kanë njohur krijimtarinë e tij më herët, do të interpretojnë në skenën e TKOB, për të nderuar një nga figurat më të shquara të valles popullore shqiptare.

“Është një nder për ne. Është një mundësi që nuk vjen dy herë. Nuk kemi pasur mundësi të punojmë me profesor Xhepin por me çfarë na kanë treguar profesorët tanë për ne është nder shumë i madh.”, – thotë valltari  Rei Berisha

 “Është një shfaqje që ne e presim prej kohësh. Nuk është bërë asnjëherë që kur profesori u nda nga jeta dhe jemi të lumtur, që si të rinj të Ansamblit ne ecim në gjurmët e ikonës së madhe Rexhep Çeliku.”, – thotë Flavio Xhaferri

“Kërcimtari Fluturues – Rexhep Çeliku” do të vijë për publikun mbrëmjen e kësaj të mërkure.