
Opera shënon 17-vjetorin e pavarësisë me koncert e promovim libri
Opera e Kosovës do të shënojë 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një koncert dhe promovim libri.
Ky institucion ka njoftuar se kremtën do ta bëjnë duke u fokusuar në muzikën popullore lirike shqiptare në një format të veçantë.
“Duke filluar me promovimin e librit ‘14 këngë popullore shqiptare’ për kuintet tunxhi dhe zë, me autor dirigjentin dhe orkestruesin e mirënjohur nga Shqipëria Edmond Doko, për të vazhduar më pas me një koncert dhe program artistik nën interpretimet e solistëve nga Kosova Liridon Sadriu (tenor) dhe Elona Sadiku (mexosoprano), të shoqëruar nga Albanian Brass Quintet nga Shqipëria dhe me pjesëmarrjen si mysafir të ansamblit vokal (Okteti Plus) nga Kosova”, thuhet në postimin në Facebook.
Ky aktivitet mbahet të enjten, më 20 shkurt, pranë Modelariumit të Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00.