Botimi i parë i romanit “Harry Potter” shitet për 18,000 paund në ankand
Botimi i parë i romanit “Harry Potter” i shkruar nga autorja britanike J. K. Rowling – është shitur 18,000 paund (22,329 dollarë) pasi doli në ankand.
Ky botim i “Harry Potter And The Philosopher’s Stone”, i cili ishte një nga 500 kopjet e para të shtypura në 1997, u shit dje në ankandin “NLB Auctions” me qendër në Paignton, Devon.
Romani, i cili parashikohej të arrinte vlerën midis 20,000-30,000 paund, u shit për 18,000 paund.
Libri u cilësua si një shembull i mirë i një botimi të parë jashtëzakonisht te rrallë.
Ai ishte një nga 300 botimet e bibliotekës. Botimi i parë i romanit “Harry Potter” ka një vulë të bibliotekës në faqen e titullit dhe shenja të një karte të mëparshme të bibliotekës.
Një tjetër botim i hershëm i romanit, i cili kishte disa dëmtime në kopertinë, u shit për 1300 paund.
Pas publikimit të tij, botuesit prodhuan vetëm një numër të vogël kopjesh për shkak të pasigurisë nëse libri do të bëhej i njohur apo jo.
Seriali, i cili përfshin shtatë libra që u përshtatën në filma të suksesshëm, vazhdoi të bëhej një nga më të njohurit në botë.
Një botim i parë i “Harry Potter And The Philosopher’s Stone” u shit në ankand për 45,201 paund në qershor të vitit të kaluar, ndërsa një kopje e paprekur e botimit të parë u shit për 69,000 paund në mars 2022. /atsh