“Zana” sjell sfidat e gruas shqiptare në hapjen e “Film Flaka 2025” në Gjilan

“Zana” sjell sfidat e gruas shqiptare në hapjen e “Film Flaka 2025” në Gjilan

Kultura January 19, 2025 - 18:37

Filmi “Zana” i regjisores Antoneta Kastrati hapi edicionin “Film Flaka 2025” në Gjilan, duke shënuar fillimin e një serie shfaqjesh filmash shqiptarë në kuadër të manifestimit të njohur “Flaka e Janarit”.

Kjo ngjarje, e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit, do të vazhdojë me prezantimin e filmave të tjerë më 19 dhe 20 janar 2025, duke sjellë për publikun artdashës krijime të veçanta nga kinematografia shqiptare, prodhuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Filmi “Zana” sjell një dramë të fuqishme emocionale, ku rrëfehet historia e një gruaje nga një zonë rurale e Kosovës, e cila përballet me plagët e thella të së kaluarës dhe sfidat e pashmangshme të një fati të pamëshirshëm. Roli kryesor i Zanës, i interpretuar mjeshtërisht nga aktorja Adriana Matoshi, shpalos një luftë të brendshme të ndërlikuar, ndërsa përballja e saj me normat tradicionale të shoqërisë rurale e thellon dramën.