Festivali “Fanal” në Senegal, një festim ndryshe i trashëguar nga periudha koloniale

Festivali “Fanal” në Senegal, një festim ndryshe i trashëguar nga periudha koloniale

Kultura January 01, 2025 - 18:04

Në qytetin Sain-Louis të Senegalit, festimet shumëngjyrëshe të fundvitit, të trashëguara nga periudha koloniale franceze, hedhin dritë mbi historinë e qytetit dhe ndiqen me interes nga vendasit

Gjatë periudhës koloniale franceze, Saint-Louis ishte kryeqyteti politik i Afrikës Perëndimore Franceze (AOF) nga viti 1895 deri në vitin 1902 si dhe kryeqyteti i Senegalit dhe Mauritanisë deri në vitin 1957. Disa tradita nga periudha koloniale ende mbahen gjallë.

Një nga traditat më të rëndësishme në qytet është që në fund të çdo viti nëpër rrugët e qytetit të shoqëruar nga turma parakalojnë fenerë shumëngjyrësh, të quajtur “fanal”, që me madhësinë e tyre tejkalojnë lartësinë e njeriut. Kjo traditë, e cila daton në shekullin e 18-të, festohet si festival në 24 vitet e fundit.

Festivali i 24-të Fanal, i mbajtur në sheshin Baya, pika më e famshme e grumbullimit në qytet, u ndoq nga Sekretari i Shtetit për Kulturën, Sektorët Kreativë dhe Trashëgimia Historike, Bacary Sarr, organizatorja e festivalit dhe gazetarja Marie Madeleine Diallo, zyrtarë të qytetit, vendas dhe shumë turistë të huaj.

Këtë vit në kuadër të festivalit të organizuar me temën “Forca lëvizëse e zhvillimit: Kultura”, në sheshin e qytetit u sollën 3 fanalë të ndriçuar (fenerë gjigantë) të shoqëruar me valle dhe këngë lokale. Këta fenerë do të parakalojnë nëpër rrugët e qytetit sot, në mbrëmjen e 31 dhjetorit.

Filloi duke u frymëzuar nga gratë që shkonin në meshën e Krishtlindjeve në mesnatë

Besohet se tradita “fanal” filloi në Saint-Louis, i cili mirëpriste një popullsi të madhe të huaj në atë kohë pasi ishte kryeqyteti i Afrikës Perëndimore Franceze, frymëzuar nga gratë që merrnin pjesë në meshën e Krishtlindjeve në mesnatë.

Me kalimin e kohës, Festivali Fanal u kthye në një festë kur gratë afrikane ose të racave të përziera të quajtura “signare”, të cilat u martuan me burra evropianë në shekullin e 18-të, shkonin në ritualin e Krishtlindjes.

Baza e festivalit fanal ishte se “signaret”, të veshur me rrobat e tyre më të mira për ritualin, kalonin rrugët e qytetit ku ende nuk kishte energji elektrike, të shoqëruar nga fenerët që mbanin shërbëtorët e tyre, duke krijuar një imazh të shkëlqyeshëm në errësirë.

Sot, fenerë gjigantë prej druri dhe kartoni nxirren në rrugë në lagje të ndryshme të Saint-Louisit me errësimin e qiellit në mbrëmjen e 30 dhjetorit. Fenerët parakalojnë nëpër pika të njohura në qytet, të shoqëruar nga turma dhe më në fund sillen në sheshin “Baya”.

Fenerët gjithashtu shoqërohen nga gra të veshura me veshje tradicionale si dhe vajza të reja të veshura me kostume “signare”, të cilat bien në sy me kapelat e tyre të gjata në formë koni.

Gjatë Festivalit Fanal, shumë elementë kulturorë të Senegalit prezantohen para publikut me shfaqje dhe aktivitete të ndryshme.