Artan Kajtazi boton librin më të ri poetik, “Sytë e saj blu si re”
“Sytë e saj blu si re” është libri më i ri poetik i Artan Kajtazit. Poezitë e Kajtazit nuk janë thjesht pasqyrë e ndjenjave, por një reflektim mbi mënyrën se si individi e përjeton dhe e interpreton botën përreth tij.
"Sytë e saj blu si re" është një udhëtim poetik që shpreh bukurinë dhe kompleksitetin e ndjenjave të njeriut.
Poezitë në këtë përmbledhje janë të mbushura me reflektime mbi ekzistencën, identitetin dhe marrëdhëniet njerëzore, duke përdorur natyrën si një pasqyrë të brendshme të perceptimeve dhe mendimeve filozofike.
Në këtë kuadër, ekzistencializmi bëhet një mjet për të kërkuar kuptim dhe identitet, për të reflektuar mbi qenien dhe natyrën e lidhjeve mes individëve.
Librin poetik "Sytë e saj blu si re", të autorit Artan Kajtazi, e kanë vlerësuar studiues dhe kritikë nga Kosova dhe Shqipëria, duke e konsideruar një vepër të veçantë poetike që e ndihmon në zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqipe.
Ata kanë theksuar disa aspekte të rëndësishme të këtij libri, përfshirë filozofinë ekzistenciale, estetikën poetike dhe sensibilitetin e brendshëm, që autori sjell përmes vargjeve të tij.
Ja disa nga vlerësimet dhe analizat që kanë dhënë studiuesit, që në këtë paraqitje po i japim në mënyrë telegrafike:
Studiuesi dhe shkrimtari i njohur i letrave shqipe, Prend Buzhala, ka thënë se, vëllimi poetik me titullin e bukur lirik “Sytë e saj blu si re”, na sugjeron një evokim të butë, një delikatesë përjetimesh e ëndërrimesh, duke e lidhur ngjyrën blu me një rrezatim të pasur ndjesish, siç janë melankolia, qetësia apo dashuria. Kur kësaj bluje i shtohet epitetizimi krahasues (“blu si re”), asociacionet na shpijnë në botën e imagjinatës: tundja e mendimeve dhe e shikimeve lëviz si një re që udhëton në qiell; është një rrjet asociacionesh poetike i lidhjes mes ideve, ndjesive dhe imazheve përmes një rrjedhe të lirshme.
Ndërsa, prozatori, poeti, publicisti dhe dramaturgu i njohur Kliton Nesturi, ka thënë se, që në krye të herës duhet thënë se poezia e Artan Kajtazit është një poezi që i përket letërsisë moderne, totalisht e shkëputur nga letërsia shqiptare dhe e kultivuar së tepërmi gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe që vazhdon ende edhe në këtë periudhë të shekullit të njëzet e një. Kjo, më së shumti në përçimin e idesë filozofike, por edhe në formë dhe strukturë, me një mendim të ngjeshur e konciz.
E, studiuesi e shkrimtari i njohur, Behar Gjoka, ka thënë se, përmbledhja me poezi “Sytë e saj blu si re”, e autorit Artan Kajtazi, ngërthen një rebus poetik të përveçëm. Shenjat estetike, që shpalosen si shqiptim i metaforës, rrokin unin e shumëngjyrtë, me anësim kah shkrimi i lirikës së pastër, pra të purolirikës. Ngjizja e universit letrar, vjen përmes dëshmisë lakonike, poezive koncize, të cilat e shndërrojnë fjalën në emblemë shpirtërore dhe artistike.
Vepra “Sytë e saj blu si re” është pranuar si një libër që shpalos ndjesinë filozofike / poetike, duke e bërë Artan Kajtazin një zë të rëndësishëm në letërsinë shqipe.
Vepra poetik “Sytë e saj blu si re”, vjen nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Rugova Art”, me seli në Prishtinë.
Ndryshe, Artan Kajtazi është magjistër i shkencave filologjike, i diplomuar në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Është autor i një numri të konsiderueshëm shkrimesh letrare / eseistike. Po ashtu, shkruan tregime të shkurtra dhe poezi. Libri i tij i parë ishte i natyrës kërkimore / shkencore “Autobiografia e Fan S. Nolit” (2016). Libri i dytë ishte poetik “Pemë e egër” (2023). Libër që u mirëprit mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika letrare. Ky është libri i tij i tretë dhe i dyti me poezi.