SHKA “Agimi” shënon 80-vjetorin, vlerësohet për promovimin e vlerave të kulturës shqiptare
Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” në Prizren ka shënuar 80-vjetorin e veprimtarisë, me aktivitete të ndryshme, përfshirë programin e pasur artistik, të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”.
Në akademinë solemne për nder të përvjetorit jubilar është theksuar se përgjatë 80 vitesh kjo shoqëri është shquar me krijimtarinë artistike, që ka kontribuar në ruajtjen e traditës dhe promovimin e vlerave të kulturës shqiptare.
Me cilësimin si një institucion respektivisht aset kulturor, SHKA “Agimi” është vlerësuar si një simbol i pandashëm i identitetit kulturor të Prizrenit dhe Kosovës.
Ndërkaq në koncertin festiv është shpalosur programi artistik, me muzikë, valle dhe këngë korale.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj para të pranishmëve ka theksuar se, SHKA “Agimi” tërheq vëmendjen kudo që paraqitet.
“SHKA ‘Agimi’ është një emër që flet vet. 80 vjet traditë po ashtu flasin vet. Breza e gjenerata të talentëve dhe artistëve që kanë dal nga ‘Agimi’ kanë ndikuar në përhapjen dhe rritjen e vlerave tona kulturore, historike besa edhe të identitetit kombëtar. Prandaj dua ti falënderoj të gjithë ata që ndër vite kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.
Ai ka pohuar se përkrahja për këtë shoqëri nuk do të mungojë nga Ekzekutivi komunal i Prizrenit.
“Mua dhe ekipit tim na vjen jashtëzakonisht mirë që kemi mundësi me dhënë një kontribut tonin që kjo histori kaq e madhe mos të harrohet dhe të hyjë në libra që një ditë do të mësohen si histori. ‘Agimin’ e kemi për zemër, do ta përkrahim, sikurse edhe çdo SHKA tjetër dhe ndoshta 90 vjetorin e festojmë në një sallë më të madhe”, ka deklaruar Totaj.
Koncerti në fjalë në njoftimin e Komunës është vlerësuar si një festë për artin, traditën dhe kulturën shqiptare, si dhe një reflektim i rëndësishëm mbi rrugëtimin e SHKA “Agimi”, që vazhdon të luaj rol të rëndësishëm në zhvillimin e artit dhe kulturës prizrenase.