Kinema “Jusuf Gërvalla” njofton për premierën e filmit “Okarina”

Kinema “Jusuf Gërvalla” njofton për premierën e filmit “Okarina”

Kultura November 25, 2024 - 16:28

Kinema Jusuf Gërvalla, është Kinemaja e vetme në qytetin e Pejës, dhe si e tillë përveçse ka funksionin e Kinemasë, shpeshherë adapton hapësirat e saja për forma të tjera të aktiviteteve kulturore, duke funksionuar kështu edhe si qendër multidisiplinare.

Historiku i shkurtë i Kinemasë: Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në të kaluarën e njohur si Kino Rad (Kinemaja e Punëtorëve – nga gjuha serbe) u ndërtua më 1955 me para të sindikatave të punëtorëve.

Kinemaja “Jusuf Gërvalla” (ish Kino Radi) u ndërtua me qëllim që të ofroj një hapësirë kulturore në qytetin e Pejës, ndërsa përgjatë viteve 1955-1998 shërbeu si pikë qëndrore e aktiviteteve të përbashkëta kulturore për banorët e komunës së Pejës, ku përfshiheshin shfaqja e filmave më të rinj, diskutime publike rreth filmave të ndryshëm, koncertet muzikore, shfaqjet teatrale dhe programe për fëmijë, kështu duke u bërë një prej institucioneve kulturore më të frekuentuara asokohe. Në vitin 2016, Agjensioni Kosovar i Privatizimit (AKP) e vendos objektin dhe të gjitha asetet e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në listën e objekteve për privatizim.

Nisja e kundërshtimit të këtij procesi nga Anibari si dhe bashkëpunimi me komunitetin lokal e me Rrjetin e Organizatave të Kulturës (RrOK) në Pejë, nga ku ishin bashkuar më pas edhe 80 organizata jo qeveritare tjera gjithë andej Kosovës, kishin bërë që ky proces të suspendohet. Në peticionin kundër privatizimit të kinemasë për një periudhë të shkurtër ishte arritur numri i mbi 6 mijë nënshkrimeve prej qytetarëve të Pejës. Gatishmëria qytetare, përveç se e ka shpëtuar Kinemanë nga privatizimi, ka bërë që ky objekti të futet formalisht në listën e përkohshme të objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Sot Kinemaja “Jusuf Gërvalla” është shndërruar në qendër socio-kulturore dhe ka programe aktiv javore.

Në javën e fundit të nëntorit, përkatësisht në datat 29-30 nëntor dhe me 1 dhjetor, do të shfaqjen premier filmi Okarina, me regji të Alban Zogjani-t. Filmi paraqet një histori për problemet familjare që lindin si pasojë e ndryshimit në stilin e tyre të jetesës pas zhvendosjes në një vend të ri, të shtyrë nga një dëshirë e fortë për të përmirësuar kushtet e jetesës. Shaqa dhe Selvia zgjedhin të sfidojnë ndjenjën e tyre të “moralit” në kërkim të një të ardhmeje më të ndritur. Nga ana tjetër, përfshirja e pavullnetshme e Giovanni-t e drejton rrugën e tyre të zgjedhur në një drejtim të paparashikuar. Megjithatë, udhëtimi i tyre nuk përfundon ashtu siç e kishin pritur.

Okarina, me regji të Alban Zogjani, vjen në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” me 3 shfaqje në datat, 29, 30 nëntor dhe 1 dhjetor duke filluar nga ora 20:00.

Biletat mund ti gjeni në Kinema, çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në orën 17:00.

Çmimi është 3 euro.

Gjatësia e filmit: 93 Regjia: Alban Zogjani

Producent: Rina Krasniqi, Alban Zogjani

Aktorët: Jehon Gorani, Shengyl Ismaili, Rina Krasniqi, Flaka Latifi, Arta Selimi, Kastriot Shehi.

Ky aktivitet është krijuar dhe mirëmbajtur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është vetëm përgjegjësi e Kinemasë dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.