Rrëfimi ndryshe i Sabri Fejzullahut: Nga emocionet e fëmijërisë te suksesi
Sabri Fejzullahu, një nga figurat më të njohura dhe të dashura të muzikës shqiptare, ka pasur një rrugëtim të gjatë dhe të paharrueshëm në botën e muzikës, i mbushur me pasion dhe angazhim të palodhshëm.
Me një karrierë që ka filluar që në fëmijëri dhe ka arritur kulmin në vitet '60, ai ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në muzikën shqiptare, duke u bërë një ndër emrat më të dashur të të gjitha brezave.
Në intervistë për Radio Kosovën, Sabri Fejzullahu ndan kujtime dhe reflektime për rrugëtimin e tij artistik, përmbushjet dhe sfidat, duke pasqyruar edhe ndikimin që ka pasur në muzikën për fëmijë dhe raportin e tij me publikun.
Ai gjithashtu ndan mendimet e tij për muzikën e sotme, trashëgiminë kulturore dhe këshillat për brezat e rinj. I ftuar në emisionin për fëmijë në programin e parë të Radio Kosovës, Fejzullahu, me shumë kënaqësi iu përgjigjet pyetjeve të tyre.
Radio Kosova (fëmijët): Mirësevini në këtë intervistë ndryshe në Radio Kosova!
Sabri Fejzullahu: Faleminderit prej juve shumë që më keni ftuar të jem në studion e Radio Kosovës, ju jeni arsyeja pse unë kam ardhur sot këtu. Për mua është nder i madh, që të takohem me ju dhe të bashkëbisedojmë. Falënderoj për pritjen e ngrohtë që ma bënë të gjithë nga porta e deri këtu. Kjo ishte një befasi shumë e bukur për mua dhe jam shumë i nderuar.
Si lindi pasioni i juaj për muzikën dhe si ishin hapat e tuaj të parë në këtë rrugëtim?
Sabri Fejzullahu: Hapat e mi të parë, si çdo i ri që ka dëshirë të arrijë diçka në jetë, si fëmijë kam filluar në moshën pesë vjeçe, motra ime ndjesë pastë Hajria, më ka futur në kosh të misrit, mbase ju nuk e dini çka është, se mi vinte marre me m’pa, edhe aty kam fillu me këndu”. Mandej në moshën gjashtë - shtatë vjeçare në klasën e parë fillore në shkollën ‘Emin Duraku’ në Prishtinë, kur bëheshin manifestime shkollore të ndryshme fillova me këndu ndonjë këngë të asaj kohe. Edhe unë nuk kam besuar se do të bëhem këngëtar, por dëshirë e kam pasur gjithmonë. Me këtë dua të them, se qysh si i ri, apo e re njeriu po u përcaktoja për diçka, dhe ashtu bëhesh, vetëm nëse e ke me dëshirë, me punë të gjitha arrihen.
Kush iu mbështeti më shumë në fillimet e karrierës suaj?
Sabri Fejzullahu: Të ju them drejt zemra ime, unë si fëmijë… paj askush, familja ime, familjarët e mi, por kur fillova karrierën time sinqerisht në vitin 1967, për herë të parë për Radio Prishtinën e atëhershme, ku ndërtesa ka qenë atje te tregu, tani ku është Radiotelevizioni i Kosovës, atje e incizova këngën e parë dhe njeriu i parë që më ka ftuar ka qenë profesor Akil Koci që është edhe kompozitor. Por, personi që ma ka mundësuar që të shkoj në Radio Prishtinë dhe të bisedoj me redaktorët e atëhershëm, ka qenë një poet i madh, intelektual e patriot i madh, njeriu shumë i shquar, këngëtar, kompozitor e instrumentist, Jusuf Gërvalla. Ai banonte tek mëhalla ime, në lagjen time dhe unë e kisha dëgjuar në Radio Prishtinë një këngë të tij me emrin “Elko Plero” që i ka rënë kitarës akustike dhe unë një ditë i thash: “Unë jam Sabri Fejzullahu, ju jeni Jusufi, më tha po..edhe i thash: ‘Unë di me këndu..! Apo, atëherë unë do t’i them prof. Akil Kocit që nesër të merr në Radio. Pra Jusuf Gërvalla është njeriu i parë që më mbështeti…
A keni interpretuar ndonjëherë këngë për fëmijë?
Sabri Fejzullahu: O unë këtu në Radio Prishtinë ndoshta i kam, nuk e di nëse kur është suprimuar çdo gjë në Kosovë, kur na kanë marr çdo gjë, nuk e di nëse në fonotekën e Radio Kosovës a ekzistojnë. Unë e kam një cikël shumë të madh të këngëve për fëmijë, sepse unë e udhëhiqja në Radiotelevizionin e Prishtinës atëherë një emision dhe këndoja për fëmijë, që është quajtur “Orolinga-Torolinga dhe Akordiada televizive”. Kam kënduar për nënën, për babain, për mësuesen, mësuesin, për fjalën e mirë, fjalën e keqe, për lëndimin për mirësinë, për ndihmën, për humanizmin, për nxënësit e mirë, për duhanin që e kanë pirë e që nuk bën, pra çdo gjë që është edukative, pra unë besoj që së paku 100 këngë i kam pasur për fëmijë të kënduara.
Cila është kënga që ju e keni dashur dhe e doni më së shumti, a mund të na këndoni pak?
Sabri Fejzullahu: Kënga !!! Hahaha… Cili është fëmiu që e do më shumë?? A Ermalin, Bulzën, Armendin apo Adelinën? Ka plot këngë që i dua dhe ke të drejt por, ka ngelur si sinonim tek ne në Kosovë, që e këndojnë gjithandej shqiptarët e që kam pasur nderin që e ka kompozuar këtë këngë i ndjeri kompozitori i madh mbarë shqiptar Musa Piperku dhe tekstin e ka shkruar një poet, ndjesë pastë, Milaim Berisha, e ajo është “ Pranverë në Prishtinë” .. A doni me këndu?
A t’kujtohet natë e parë,
shi kur binte në Prishtinë?
Unë e ti si dy këngëtarë
pëshpëritnim për dashurinë!
Unë të doja, ti më doje
lugut t'gjelbërt të Gërmisë;
Yjet mbi qiell na bënin roje
e lisat gjelbëronin prej lakmisë!
S'harrohet dot ngrohtësi e parë
kur pranverë ishte në Prishtinë!
Etj etj… Kjo ka qenë kënga që më ka fjetur në shpirt, po këtë këngë falë dëgjuesve, ja edhe gjenerata e juaj e këndon, a ka nder më të madh për mua.
Cila ka qenë kënga e parë që ju e keni kënduar në publik?
Sabri Fejzullahu: Në publik… Shumë ditë kanë kalue, që kur due me thanë.. Atëherë nuk ka qenë gjuha e njehsuar, gjuha e njehsuar është zyrtarizuar në vitin 1970 në Kosovë, e në vitin 1967 kur e kam incizuar për herë të parë ka qenë kjo “Tash jo” dhe ka qenë në dialektikë, në gegërishte. “Shumë ditë kanë kalue, që kur due me thanë se unë shumë të due dashunija ime. Fjalë ma t’ambël do t’gjej unë diçka për t’zbulue që prej teje po f’shehi dashunija ime”… kjo ishte kënga e parë në vitin 1967 si këngë për institucion që e kam kënduar, për Radio Prishtinën e atëhershme.
Cili ka qenë bashkëpunimi më i veçantë apo më i paharrueshëm në karrierën tuaj?
Sabri Fejzullahu: Jam i privilegjuar që t’i përmend emrat dhe mbiemrat e kompozitorëve mbarëshqiptarë që kanë kompozuar dhe kanë lënë, si të them kanë bërë histori, jo me mua por me këngët e tyre që i kanë kompozuar dhe orkestruar. Kam pasur nderin nga vitet 67’ dhe 68’ që kam kënduar këngë të Tomor Berishës, të Akil Kocit, Serverinë Kajtazit, Krist Lekajt, Mark Kaçinarit, Gjon Gjevelekajt, pastaj të Musa Piperkut, Reshat Randobravës, e që këto këngët e Musa Piperkut dhe Reshat Randobravës kanë lënë gjurmë e edhe sot këndohen. P.sh. e Musa Piperkut është “ Pranverë në Prishtinë”, “ Digju digju shpirti im”, “ Të fala nga Prishtina” dhe më lejoni pa modesti meqë është mundi i tyre, unë kam fituar 18 herë Okarinën e Artë, shpërblimin e parë të publikut, në Festivalin e Akordeve të Kosovës. Këta janë ata kompozitorët… dhe tani pas këtyre viteve, pas vitit 1990 e këtej me Xhevdet Gashin. Ai është figura më e ndritur që ka ditur rok muzikën, ose pop muzikën e asaj kohe ta ngjyros me melosin popullor. Edhe kam shumë hite si p.sh. “Ishim të rinj të lindur në një stinë, fshatarja ime mike e rinisë… pastaj “ Merrma shiun e Prishtinës..” e shumë e shumë hite. Atij i kam shumë borxh, sepse Xhevdeti ka dhënë dhe ka kontribuuar shumë për kulturën shqiptare.
Cilat kanë qenë disa nga sfidat me të cilat jeni përballur ju si artistë?
Sabri Fejzullahu: Po jeta është e tëra me sfida, prej ku të lindesh dhe kur të shuhesh nga kjo jetë, jeta është me sfida, por njeriu duhet të mbledh forcë, logjikë, punë dhe avash-avash me mençuri, me butësi, me dashuri e buzëqeshje t’i tejkaloj sfidat. Kam pasur sfida, sepse babai im i ndjeri Hazir Fejzullahu dhe nëna ime, nëna Zet’hane kanë qenë pa shkollë, por kanë pasur dëshirë të flaktë që ne fëmijët, tre vëllezërit dhe motrat të shkollohemi. Unë kam qenë shumë i varfër, ne ishim të varfër dhe e kam sfiduar vetën në moshën 18 vjeçare. Shokët e shoqet e gjimnazit, shkonin verës në deti. Unë nuk kisha mundësi, prandaj një muaj kam prashitur lule të diellit, vetëm të bashkohesha me shokët e shoqet e klasës sime për të shkuar në deti. Dhe kjo për mua ka qenë sfidë, sepse nga ajo kohë kam filluar punën vet, pa ndihmën e askujt. Por ndihma më e madhe më ka ardhur nga publiku që më ka mbështetur kur kam filluar të këndoj dhe kur të mbështet masa, i tejkalon të gjitha sfidat.
A keni ndonjë koncert të paharrueshëm apo moment të veçantë me publikun që do ta ndani me ne?
Sabri Fejzullahu: Po i kam dy. Pas Pavarësisë, në stadiumin e Prishtinës u organizua për nder të lirisë një koncert shumë i madh, nuk e di a kanë qenë 30 mijë njerëz apo më shumë.. edhe kur kam dal për të kënduar ovacionet e publikut që më kanë pritur kurrë në jetë nuk i harroj. Atëherë kishte edhe shumë pjesëtarë të UÇK-së... I dyti koncert që nuk e harroj kurrë, ishte gjatë pandemisë. Bashkë me Fatjon Miftarin, me një piano, nën organizimin e Shpend Ahmetit, atëherë kryetar i Prishtinës. Ishte kohë shumë e vështirë, njerezit vdisnin nga pandemia. E mbajta koncertin dhe atë natë unë i mora 870 mesazhe në telefon, pa asnjë njeri në publik. Ka qenë vetëm një ekip i ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve, kameramanët dhe Shpendi. Kur kam dal, karriget e zbrazura.... thash me vete „ o Zot si qenka jeta..“ I kam kënduar 21 këngë atë natë, live, vetëm me një piano. Njerëzit që ishin të thyer në shpirt, jo unë, por kënga ime ua ktheu një shpresë që një ditë do të zhduket kjo sëmundje dhe do të vijnë ditë të bardha të cilat erdhën. Këto nuk i harroj kurrë. E që janë edhe qindra e qindra koncerte në diasporë. Unë e dua shumë diasporën shqiptare, unë digjem për diasporën shqiptare, sepse ata digjen për truallin shqiptarë.
Si arrini të përcillni emocionin tuaj përmes muzikës dhe interpretimit?
Sabri Fejzullahu: Mua më ka ndihmuar shumë profesioni i aktorit. Unë jam aktor me profesion. Kam mbaruar shkollimin e lartë në Gjuhë e Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik, në atë kohë kam qenë student në një klasë me presidentin historik dr. Ibrahim Rugova dhe me 17 doktorë të shkencave që janë bërë më pas, ndërsa unë më pas e kam mbaruar edhe aktrimin. Për të bërë një këngë të dashur, nuk është vetëm zëri, por edhe emocioni, e emocionin ma ka dhënë zanati i aktrimit. E aktrimi më ka ndihmuar shumë që ta ngjyros çdo fjali dhe përmbajtjen e saj, së paku jam munduar që kënga të depërtojë tek ju, e të mësohet.
Axhi Sabri si shikoni ju ndryshimin e muzikës sot, krahasuar me kohën kur ju keni kënduar?
Sabri Fejzullahu: Kur kam kënduar unë, në dy vitet e para kam kënduar live me 45 instrumentistë, orkestër e madhe simfonike, ndërsa studio ka qenë tek Fshati Amerikan, ku është tani, orkestra, dirigjenti dhe çdo gjë live. Nëse kam gabuar, është dashur të kthehemi nga fillimi. Atëherë muzika ishte ajo që ka qenë, që është dëgjuar në atë kohë. Unë kam kënduar muzikë të lehtë, muzikë zbavitëse në atë kohë. Ajo që është kënduar në Itali, në Francë dhe në Amerikë, unë isha këngëtar i muzikës së lehtë, i pop muzikës ose i kanconave siç thuhet. Kohërat ndërrojnë, në atë kohë unë dëgjoja “The Beatles”, “The Rolling Stones”, sikurse ju sot që e dëgjoni Rihanna-n, Beyonce, Rita Orën, Dua Lipën, pra yjet botërore. Unë nuk mund t’i gjykoj kohërat. Kjo muzikë që është sot, rep muzika më pëlqen, R&B më pëlqen shumë , sepse është e kohës. Por, nëse ne si komb shqiptar dhe si njerëz arrijmë që kohët kur është kënduar një melos i tillë, kur kam kënduar unë, ju t’i përcillni edhe në ditët e sotme, sikurse po e përcillni, pasi unë këngën “Pranverë në Prishtinë” e kam kënduar në vitin 1977, kjo do të thotë se ne kemi kulturë. Kombet e tjera e ruajnë atë lashtësinë, edhe kombet e avancuara e ruajnë me fanatizëm kulturën e tyre, duke e shtyrë këtë të renë që është trendi, e që tek ne ka këngëtar fantastikë të rep muzikës dhe R&B muzikës, por duke e mbajtur e ruajtur atë kulturën që është kënduar nga Nexhmije Pagarusha, Liliana Çavolli, Luan Hajra, Ismet Koshutova, Qazim Dushku, me i transmetuar edhe sot, e atëherë në jemi dikush. Kjo do të thotë që s’ka filluar asgjë vetëm me rep dhe R&B, por ka filluar qysh atëherë. Unë e përkrah çdo gjë që vjen e re, sikur juve që ju dua, kështu që i dua trendet që vijnë.
Çfarë dëshironi të lini pas si trashëgimi për publikun dhe muzikën shqiptare?
Sabri Fejzullahu: Unë nuk mund të lë trashëgimi, sepse unë nuk jam institucion. Institucion është publiku, jeni ju. Fonoteka këtu në Radio Kosovë është shumë e pasur, megjithëse pushteti, okupatori serb atëherë i ka marrë të gjitha. Por diçka ka ngelur. Pra, shteti i ruan me fanatizëm, e ruan atë muzikë që kur ka kompozuar muzikë serioze, Lorenc Antoni edhe të tjerët. Unë s’mund të lë asgjë, por ju leni. Edhe njëherë po kthehem te ajo, nëse ju duke i përcjellur trendet e kujtoni edhe ndonjë këngë të kaluar, atëherë ne e kemi një kulturë e pra lëmë diçka. “Pranverën në Prishtinë” ju e dini, pra kjo është e arritura e Musa Piperkut, që e ka kompozuar, e Milaim Berishës, që ka shkruar tekstin dhe e imja që e kam kënduar dhe e kam transmetuar tek ju. E ka plot këngëtarë të tjerë që kanë lënë këngë. Ka qenë Muharrem Qena, aktor, regjisor, këngëtar, instrumentist, Jusuf Gërvalla ka lënë shumë këngë, Liliana Çavolli ka lënë shumë, Luan Hajra, Besnik Krajku, të gjithë kanë lënë.
Çfarë këshillash i keni dhënë Ermalit për të qenë i suksesshëm si artist dhe si njeri?
Sabri Fejzullahu: O ja hanksha zemrën! Unë i kam katër fëmijë dhe i dua të gjithë, por atë e kam pikë të dobët, e kam shumë zemër. Unë nuk kisha dëshirë që të bëhej këngëtar, sepse për të qenë këngëtar, duhet të ecësh tehut, pasi ka paragjykime, ka fjalë, ndërsa duhet të krijosh familje, e duhet ruajtur familjen. Por, duhet të jesh i popullit, i masës, ke dëshirë me u realizua e me lënë diçka, e pastaj fillojnë xhelozirat. E prandaj, s’kam pasur dëshirë që Ermali të bëhet këngëtar. Por, gruaja ime Nera, në moshën shtatë vjeçare ia ka bërë albumin e parë Ermalit. S'po flas si djali im, por si kolegë, si këngëtar e çmoj, e vlerësoj shumë zërin e tij, kulturën muzikore, sepse e ëma e ka dërguar për tetë vjet për piano, dhe sot është këngëtar i realizuar, e kam kolegë shumë të mirë, është shumë i suksesshëm, e duan shumë dhe është me këmbë në tokë. Madhështia e një njeriu, çfarëdo që të jesh, president, kryeministër, mjek i mirë, udhëheqës, këngëtar, futbollist, e para është modestia. Gjithmonë duhet të dhuroni dashni për të marrë dashni. Nëse dikush fillon me hapa gjigandë në çfarëdo fushe të arrijë diçka dhe me mendjemadhësi, atëherë rënia është e pashmangshme dhe është rënie që e thyen në shpirt atë person. Madhështia e Ermalit është që është shumë i thjeshtë, është njerëzor, e ka një nuse - reja jeme, që është më e bukura, më e mira, një nënë e mirë që i ka katër drita, katër fëmijë, tri mbesa dhe një nip dhe që është modele. Ajo ka ditur ta mbajë Ermalin, e kalojnë për mrekulli bashkë dhe është shembull se si duhet të jetë një nënë e përkryer në çdo aspekt. E jam shumë i lumtur për të, për familjen e tij, për edukatën që u jep fëmijëve.
Ne të njohim ty edhe si aktor të shquar që ke luajtur role të ndryshme në skena të teatrove të ndryshme. A mund të na tregoni se cili ishte roli më i dashur për ty?
Sabri Fejzullahu: Roli më i dashur për mua ka qenë një mjuzikëll në vitin 1978. Libreton e ka shkruar koreografi më i njohur dhe kostumografi, Nuredin Loxha, e muzikën e ka bërë Zekria Çarkaxhiu. Në atë Libreto muzikore është profesori Akil Koci, ndërsa unë kam luajtur Tan Shejtanin, kështu është quajtur. Më pas ka qenë një rol “Hotel Kashta”, ku kam luajtur në atë shfaqje, që është luajtur shumë shumë. Pastaj ka edhe role të tjera, e në Radiotelevizionin e Prishtinës, atëherë luajta rolin te seriali, “Shermeti e Delia”. Ka qenë një serial shumë i mirë për atë kohë. Tani kemi aktorë të mëdhenj të humorit, të rinj, që janë shumë aktual dhe i duam shumë. Për shembull unë e dua Ilir Tafën, që është aktori më i mirë mbarë shqiptar për mua, në serialin “Tre Vëllezërit”.
A keni ndonjë mesazh për të rinjtë?
Sabri Fejzullahu: Mesazhi im është ta duani njëri-tjetrin, por së pari ta duani veten. Të lexoni shumë, sepse ka filluar të bie leximi. Unë e di që tashmë është zhvilluar teknologjia e rrini gjithë ditën në telefon, jeni të këtij trendi, por duhet edhe të lexoni. Mësoni, duajini prindërit, duajeni gjuhën e kombit. Asnjëherë mos u dorëzoni në jetë, asnjëherë mos i fyeni njerëzit, por mbi të gjitha ta duani kombin, atë se çfarë jeni, ta duani atdheun tuaj, të ecni përpara e të kontribuoni për këtë tokë, për Kosovën e shqiptarinë.