Ora e Shkrimtarit me Binak Kelmendin u mbajt në Gjimnazin “Xhevdet Doda” të Prishtinës
Dje, në ambientet e Gjimnazit “Xhevdet Doda”, në kryeqytet, u mbajt aktiviteti i fundit i PEN Qendrës së Kosovës në kuadër të projektit të saj të sivjetmë “Ora e Shkrimtarit” që është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në këtë orë mysafir ishte shkrimtari, përkthyesi dhe publicisti Binak Kelmendi.
Për pjesëmarrje në këtë aktivitet letrar pati shumë të interesuar, si nga anëtarë të stafit të gjimnazit të cilët e kishin organizuar në mënyrë perfekte mbajtjen dhe zhvillimin e këtij aktiviteti, por dhe nga nxënës të cilët me poezitë dhe esetë e lexuara e bënë më të pasur këtë aktivitet.
Duke hapur punimet e aktivitetit, udhëheqësi i projektit, poeti dhe eseisti, Sali Bashota, theksoi rëndësinë e projektit dhe jehonën që projekti ka pasur nëpër qendrat e ndryshme të Kosovës: Skenderaj, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Fushë – Kosovë në Prishtinë.
Bashota në vazhdim tregoi se janë zhvilluar gjithesj 16 aktivitete me shkrimtarë, anëtarë të PEN Qendrës së Kosovës dhe të gjitha këto aktivitete janë përcjellë me një interesim të jashtëzakonshëm nga dashamirë të fjalës së shkruar, por dhe nga të tjerë që pasion kanë leximin e veprave të autorëve jo vetëm nga Kosova, por edhe më gjerë.
Ai në vazhdim ftoi talentet e reja që të mod ngurrojnë por të shkruajnë duke premtuar se kjo Qendër do t’i përkrahë këto talente në formësimin e tyre artisik.
Poeti Bashota foli poashtu dhe për historikun e PEN Qendrës duke treguar nëkohësisht edhe punën që kjo Qendër bën në PEN Interntioanal me seli në Londër.
Pastaj fjala iu dha Binak Kelemendit, i cili foli për aktin e frymëzimit të veprave të tij, për temat, motivet, idetë etj., si dhe për përvojën e tij të gjatë në fushën e krijimtarisë letrare. Kështu, shkrimtari, publicisti e përkthyesi Kelmendi foli për përvojën e tij krijuese si prozator e përkthyes.
Duke theksuar fillesat e tij letrare, Kelmendi përmendi shkrimet e veta botuar këtu e dyzet vjet më pare, por edhe të tjera shkruar më herët e që nuk e kanë parë kurrë dritën.
Kështu, ai foli për përmbledhjen e tij të parë me tregime me titullin “Rozafa”, si dhe për vepra të tjera pasuese në prozë.
Duke bërë numërimin e tyre, Kelmendi përmendi romanin e tij të parë “Vezët e Vdekjes”, një kronikë Kosove para lufte, nga fëmiëjria e tij e hershme, të demonstratave e deri te fillimi i luftës dhe deportimi i shqiptarëve të Kosovës.
Ky libër, tha Kelmendi, e dërgoi autorin te Guri i Vashës, një roman i tij me këtë titull, në të cilin ai paraqiti përdhunimet e femrës shqiptare të Kosovës nga ushtria dhe milicia e Serbisë gjatë luftën 1998-1999.
Në vazhdim autori foli për romanin tjetër “Portat e Pejës”, të cilin e quajti libër biografik për Pejën dhe rrethinën saj në vitet e terrorit të Rankoviqit e deri në vitet e shtatëdhjeta kur Kosova bëri vetëm një hap drejt barazimitime njësit të tjera federative të ish –Jugosllavisë.
Romanin vet të radhës “Rruga 66”, Kelmendi e quajti sfidë për zgjidhjen e enigmës rreth lirisë aktuale në vendin tonë që jo rrallë keqpërdoret jo vetëm nga ata që vijnë e shkojnë në dhe nga pushtetet, por dhe nga të tjerët që mendojnë se liria është vetëm e tyre dhe se për këtë arsye “kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan me lirinë e tjetrit”.
Për romanin “Demë Dedë Boga”, botuar në vitin 2023 nga “KOHA”, Kelmendi tregoi se është një përpjekje për të treguar historikun e fillimit të ndërrimit të fesë katolike në fenë myslimane në Bogë të Rugovës, diku në fund të shekullit 17.
Kelmendi në vazhdim përmendi edhe përmbledhjet e veta me tregime: ”Ofelia e Dukagjinit”, “Dritat e Luftës” dhe “Lexuesit kartëemortaleve”, si dhe librin e parë të tij me poezi “Jeta ime”, që u botua në vitin 2024, si dhe për përvojën vet në lëminë e përkthimit nga gjuha frënge. Këtu Kelmendi u ndal sidomos te romani historik “Ilirja” i Flora Dosenit, por përmendi edhe veprat e përkthyera të Françoise Sagan e Marguerite Durras etj.
Në fund të aktivitetit u zhvillua një bashkëbisedim midis shkrimarit Kelmendi dhe nxënësve të Gjimnanizit “Xhevdet Doda”./kultplus