Restaurimi i shtëpive tradicionale, Kurti: Prizrenin po e bëjmë gati për UNESCO
Kryeministri i vendit, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se të shtunën, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan tri shtëpi tradicionale në Prizren, të cilat janë restauruar rishtazi.
“Gjatë mandatit tonë, buxheti për trashëgiminë kulturore është për gati katër herë më i lartë. Vetëm në Prizren kemi investuar mbi 4.5 milionë euro, që është më shumë se i gjithë buxheti i vitit 2021 për trashëgimi kulturore. Me punën që po bëjmë sot, Qendrën Historike të Prizrenit po e bëjmë gati për ta nominuar në Listën Botërore të UNESCO-s. Qeveria jonë ndali degradimin e monumenteve, duke i vënë ato në shërbim të komunitetit dhe ekonomisë lokale. Pothuaj nuk ka komunë ku nuk kemi restauruar këto më shumë se tre vjet e gjysmë të drejtimit tonë”, ka shkruar Kurti.
Kurti tha se puna po vazhdon, në dhjetëra monumente, në gjithë vendin. “Duke i ruajtur dëshmitë e së kaluarës, ne fuqizojmë identitetin kulturor dhe potencialin ekonomik të vendbanimeve tona”.