Shkrimtarja jugkoreane Han Kang fiton Nobelin për Letërsi
Autorja jugkoreane, Han Kang, e ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi, për vitin 2024, për “prozën e fuqishme poetike që konfronton trauma historike dhe shpërfaq brishtësinë e jetës njerëzore”.
Kështu është vlerësuar ajo nga juria në ditën e shpalljes së vendimit.
"Ajo e ka një vetëdije unike për lidhjet në mes të trupit dhe shpirtit, jetës dhe vdekjes, dhe stili i saj poetik dhe eksperimental është bërë inovator në prozën bashkëkohore”, ka thënë Anders Olsson, udhëheqës i Komitetit të Nobelit, përmes një deklarate.
Han Kang, jugkoreanja e parë që fiton Nobelin për Letërsi, e ka nisur karrierën më 1993 me publikim të disa poemave, derisa me prozë ka debutuar më 1995, të titulluar "Love of Yeosu".
Namin ndërkombëtar e ka fituar me novelën "The Vegetarian".
Vitin e kaluar me këtë çmim është nderuar shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez, Jon Fosse.
Çmimi Nobel ka vlerën e rreth 1.1 milion dollarëve amerikanë.
Ky çmim, që ndahet për arritje në shkencë, letërsi dhe paqe, është krijuar me dëshirën e shpikësit të dinamitit, suedezit, Alfred Nobel.
Këto çmime ndahen prej vitit 1901.
Më herët gjatë javës janë ndarë çmimet Nobel për Mjekësi, Fizikë dhe Kimi.
Tradicionalisht, Çmimi Nobel për Ekonomi ndahet në fund. /REL