Kurti takohet me historianin dhe eseistin polak, Adam Michnik
Kryeministri Albin Kurti, dje u takua me historianin dhe eseistin polak Adam Michnik, i mirënjohur dhe me ndikim në Poloni
Kështu ka njoftuar sot Zyra e Kryeministrit, ku thuhet se Michnik kishte edhe një vëmendje të veçantë për Kosovën.
“Përgjatë bashkëbisedimit, kryeministri përshkoi historinë moderne të Kosovës dhe e njohu z. Michnick me ngjarjet kryesore që kanë karakterizuar përpjekjet e vendit tonë për çlirim dhe pavarësim, prej kohës së shkrimeve të tij më të shumta për Kosovën, para dhe rreth luftës”.
“Ai diskutoi dhe mbi marrëdhëniet me fqinjin tonë verior, Serbinë, e qasjen e tyre të vazhdueshme agresore ndaj shtetit tonë”.
“Biseda u përqendrua edhe tek historitë, personalitetet, dhe ngjarjet që kanë ndikuar mbi historinë e Kosovës, historinë e Ballkanit dhe historinë e Polonisë. Michnik ka qenë disident, i burgosur politik dhe mendimtar e komentues i dalluar i vendit të tij”, thuhet në njoftim.
Michnik kishte qenë në Prishtinë për të dhënë një ligjëratë para shumë viteve, ku të pranishëm ishin edhe komuniteti polak që jeton në Kosovë. Kryeministri e ftoi Michnik në Kosovë për të vazhduar bashkëbisedimin. /Zëri