Nazareno Ferruggio sjell magjinë e barokut e romantizmit në natën e dytë të “DAM Festival”

Nazareno Ferruggio sjell magjinë e barokut e romantizmit në natën e dytë të “DAM Festival”

Kultura September 20, 2024 - 20:09

‘DAM Festival’ shënoi dje mbrëmjen e dytë të edicionit të 19-të me mbrëmjen ‘Kronikë e Sonatave’, me koncertin e pianistit të mirënjohur Italian Nazareno Ferruggio, shkruan KultPlus.

Me pianon dhe ndriçimin e vendosur në qendër të Ateliesë së Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Ferruggio arriti që përgjatë një ore, të mbajë publikun nën magjinë e interpretimit të kryeveprave botërore e duke ofruar një përvojë muzikore të paharrueshme.

Koncerti filloi me sonatat e Scarlatit, ku Ferruggio shpalosi mjeshtërinë e tij të jashtëzakonshme. Me çdo nota, ai arriti të krijonte një atmosferë magjike, duke e mbushur sallën me energji dhe emocion.

Në fund të koncertit, ai shpërtheu në një interpretim të mahnitshëm të ‘Nokturne në b-mol, op. 9 No. 1’ të Frederic Chopin. Me çdo notë, Ferruggio përcolli melankolinë dhe pasionin e muzikës së Chopin, duke e bërë këtë moment kulminant të koncertit.

Pasi dhuroi një performancë magjepsëse teka interpretoi në piano, për KultPlus foli vetë Nazareno Ferruggio i cili shprehu mirënjohjen e tij për ftesën që të jetë pjesë e këtij festivali.

“Dua të falënderoj Dardanin për ftesën në këtë festival të bukur.Për mua është hera e parë që performoj këtu dhe e shijoja shumë. Kam sjellur muzikë italiane. Këtë periudhë të jetës time dua shumë të interpretoj sonatat e Sarlattit dhe mendoj që epoka e barokut është periudha më e bukur dhe që lidhet me universit prandaj më pëlqen shumë që ta kem atë në repertorin tim”, tha mes tjerash Ferrugio i cili më tutje u shpreh se koncerti përfundoi suksseshëm dhe ndjehet i lumtur për këtë.

 Pas një mbrëmje tjetër të suksseshme, për KultPlus foli edhe organizatorja e ‘DAM Festival’, Rreze Kryeziu e cila u shpreh se ndjehet e lumtur për paraqitjene sotme të pianistit Ferruggio në këtë edicion të këtij festivali.

“Sot ishte nata e dytë e edicionit të XIX të festivalit ‘DAM’, po ashtu e konsiderojmë të suksesshme, marrë parasysh edhe reagimin që e jep audienca jonë tash me një shije të kompletuar sa i përket ndjekjeve të aktiviteteve të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me muzikën profesionale ose klasike. Sot patëm kënaqësinë në këtë performancë të kemi një nga pianistët e dalluar italian, i cili erdhi me një program mjaft të vështirë sa i përket kërkesave teknike, siç janë sonatat e Scarlattit, kompozitorit të barokut të vonshëm ose stilit ‘Rokoko’ siç njihet ne literaturën e muzikës profesionale.” U shpreh Kryeziu duke shtuar më tutje që emocionet që përçojnë veprat Chopin, arritën edhe në publikun e ‘Dam Festival’ me interpretimin e pianisit Nazareno Ferruggio.

E pranishme në audiencën e këtij koncerti ishte edhe soprano e mirënjohur, Adelina Paloja, e cila u shpreh se ky festival gjithnjë e më shumë po sjell emra të njohur të muzikës klasike.

“Mund të them lirisht që festivali ‘DAM’ në një mënyrë tejet të dukshme dhe të shquar po sjell në Kosovë sikur përherë, ashtu siç edhe tradicionalisht e ka filluar të sjellë emra të njohur e poashtu edhe të promovojë emrat tanë të rinj. Kjo jo rastësisht kur vjen nga një punë kolosale të cilën po e bëjnë dy akterët kryesor të ‘DAM Festival’ siç janë Dardan Selimaj dhe Rreze Kryeziu, theksoi sopranoja Paloja.

Ndërkaq, ju kujtojmë se ‘DAM Festival’ do të zgjasë deri më 22 shtator, e përgjatë kësaj periudhe publiku do të kenë mundësinë që të shijojnë kryeveprat e muzikës botërore, përcjellë nga artistë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë./KultPlus