Kurti: Albanologjia, dije luftarake për të drejta të shqiptarëve në Ballkan
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në hapjen e konferencës “Java e Albanologjisë”, ka thënë se albanologjia ka shërbyer për vetëdije kombëtare dhe përpjekje për mbrojtje të të drejtave.
“Albanologjia te shqiptarët lindi si një dije aktive e luftarake, e lidhur ngushtë me vetëdijen kombëtare të popullit. Ajo ishte pjesë e përpjekjes për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në Ballkan”, tha Kurti.
Sipas tij, dija fillestare albanologjike e shekujve 18 e 19 ndihmoi në zgjimin kombëtar të shqiptarëve.
“Rilindësit tanë të shquar, duke nisur nga vëllezërit Frashëri e Pashko Vasa e deri te Faik Konica e Fan Noli, i shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë, për të krijuar orientimin tonë kombëtar dhe për të hedhur poshtë pretendimet jo shkencore dhe propagandën raciste të shovinistëve fqinjë”, ka thënë ai.
Në edicionin e 15-të të ngjarjes, për tri ditë në pesë sesione do të paraqiten 92 studiues. /rtk