“Festivali i Këngës” në RTK, këtë të shtunë përfundon afati për dorëzimin e këngëve
“Festivali i Këngës” në RTK është duke bërë përgatitjet për edicionin e dytë, derisa afati për dorëzimin e këngëve për pjesëmarrje është shtyrë.
Fillimisht afati për dorëzimin e këngëve pjesëmarrëse në edicionin e dytë, ishte përcaktuar 30 gushti, por organizatorët kanë vendosur që afatin ta shtyjnë deri më 7 shtator, shkruan Zeri.info.
Artistët që duan të marrin pjesë në Festivalin e Këngës, tashmë materialin mund ta dorëzojnë edhe online, ndërsa edicioni i dytë do të mbahet në sallën e Madhe të Pallatit të Rinis, aty ku ishin mbajtur edhe edicioni i parë.
Edhe për këtë vit drejtor i Festivalit mbetet Adi Krasta, ndërsa drejtor artistik Florent Boshnjaku.
Fatkeqësisht as fituesi i edicionit të dytë më shumë gjasë nuk do ta arrij qëllimin për të cilin është nisur ky festival, të përfaqësojë Kosovën në festivalin evropian të këngës “Eurovision”.
Kërkesa që RTK-ja i kishte drejtuar EBU-së për tu ftuar në Eurovisionin e vitit 2025, duket se ka marrë përgjigje negative, pasi këtë e ka konfirmuar për “Zërin” Martin Osterdahl, mbikëqyrës ekzekutiv i Eurovision Song Contest.
Osterdali në një përgjigje për gazetën “Zëri” e ka bërë të qartë se duhet anëtarësim i plotë i RTK-së në EBU, si parakusht për pjesëmarrjen e Kosovës në Eurovision.
“Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në EBU, i cili është një parakusht për pjesëmarrjen në Eurovision Song Contest, më duhet t'ju referoj përsëri në RTK pasi i takon ata të komentojnë procesin e tyre të aplikimit dhe jo mua”, ka thënë Osterdali në një përgjigje për “Zërin”, kur u pyet në lidhje me kërkesën që RTK-ja e ka dërguar në adresën e tij.