Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullën postare me figurën arkeologjike “Cjapi i bronztë”
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj nga sot ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Cjapi i bronztë”.
“Tema e trajtuar në emisionin e ri të pullës postare i përket trashëgimisë sonë arkeologjike, që dëshmon kulturën dhe nivelin zhvillimor ekonomik të të parëve tanë|, thuhet në njoftim.
Pulla postare nga emisioni “Cjapi i bronztë”, në motivin e saj bartë pamjen e cjapit të ulur dhe paraqet një gjetje arkeologjike të rrallë dhe të veçantë.
Figura e bronztë e cjapit të ulur që i takon shek. VI p.e.s. bazuar në të dhëna të shkruara, është zbuluar rastësisht në vitin 1939, diku në Jaglenicë, lagje periferike e Prizrenit.
Kjo figurinë ka gjatësi prej 6,5 cm dhe gjerësi rreth 3 cm, ndërsa peshon 380 gramë.
Figura e cjapit të ulur sot gjendet e ekspozuar në Muzeun e Vranjës.
Pjesë e këtij emisioni të pullave postare është edhe Zarfi i Ditës së Parë që do të jetë në qarkullim postar deri në konsum të plotë.