Vrau shokun e dhomës në azilin e Tiranës, vdes historiani Zydi Shehi
Ka ndërruar jetë historiani Zydi Shehi, i cili pak ditë më parë dhunoi për vdekje shokun e tij të dhomës në një azil në Tiranë.
Lajmin e ka dhënë studiuesi dhe ish-deputeti Fatmir Toçi, i cili thotë se ka ndërruar jetë ditën e sotme në një spital në kryeqytet.
Reagimi i Fatmir Toçit:
Ka ndërruar jetë sot në një spital të Tiranës studiuesi dhe historiani Zydi Shehi, pas një sëmundje të rëndë e të gjatë, i bërë i njohur kohët e fundit edhe për një ngjarje të rëndë në një azil të Tiranës, rrethanat dhe përfundimet e së cilës janë akoma të pazbardhura dhe të paqarta plotësisht…
Zydi Shehi ishte një figurë e mirënjohur në Kavajën e tij si familjar dhe qytetar i devotshëm, studiues i apasionuar pas historisë, veçanërisht për qytetin e tij, Kavajën dhe rrethinat e saj dhe autor i disa botimeve me vlerë dhe interes të veçantë në këtë fushë, duke sjelle fakte dhe interpretime të panjohura më parë. Për këto kontribute për qytetin e tij dhe shoqërinë e emancipuar kavajase ai ishte shpallur njëzëri nga Këshilli Bashkiak i qytetit “Qytetar Nderi i Kavajës”, titull i merituar për një personalitet të shquar e me kontribute konkrete si Zydi Shehi, i cili gjatë gjithë jetës së tij reflektoi mirësi, korrektesë e kulturë, shembullin e modelin e qytetarit bashkëkohor.
Ndarja nga jeta pas një sëmundje të gjatë e të mundimëshme, me probleme të dhimbëshme e situata të pamerituara për natyrën e tij fisnike ka pikëlluar jo vetëm familjen, të afërmit e miqtë e tyre, por dhe çdo kavajas e këdo që e ka njohur atë apo veprën e tij të çmuar.
Ngushëllime dhe u prehtë në paqe.