Nga 11 deri më 15 shtator mbahet festivali i filmit “Kino Kosova” në Bernë
Edicioni i pestë i festivalit të filmit ‘Kino Kosova’ do të mbahet në Bernë nga 11 deri më 15 shtator. Sipas njoftimit të organizatorëve, festivali i këtij viti përqendrohet në temën “Contemplating” – “Përsiatje”, duke shfaqur filma nga Kosova dhe diaspora e saj në kinematë e Bernës.
Sivjet në ‘Kino Kosova’ do të shfaqen mbi 30 filma, duke ofruar një program të larmishëm dhe atraktiv.
Bosnja dhe Hercegovina është shteti mysafir këtë edicion në bashkëpunim me Sarajevo Film Festival dhe Shoqatën e kineastëve nga Bosnje dhe Hercegovina, dhe me një program të veçantë me filmat e shkurtër zviceranë në bashkëpunim me Festivalin e Filmit të Shkurtër nga Winterthur (Kurzfilmtage Winterthur).
“Përveç shfaqjeve të filmave, pjesëmarrja e artistëve do të jetë e lartë dhe do të ketë panel diskutime, ku audienca do të ketë mundësinë të thellohet në tema të ndryshme së bashku me kineastët dhe artistët. Midis tyre, një panel do të eksplorojë artin e filmave të shkurtër, ndërsa një tjetër do të shqyrtojë fuqinë transformuese të festivaleve të filmit në shoqëritë e pasluftës. Gjithashtu, festivali ka kënaqësinë të mirëpresë dy artiste nga Kosova, Blerta Hashani dhe Lumturie Krasniqi, të cilat po marrin pjesë në një rezidencë artistike në qendrën kulturore PROGR në Bernë përpara se të prezantojnë punën e tyre gjatë festivalit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të festivalit.
Gjithashtu, festivalit do t’i shtojnë ngjyra muzikore edhe artistja shqiptare Linda Rukaj dhe kuarteti i saj.